
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hedhur akuza të forta ndaj procesit zgjedhor të 11 majit në Qarkun e Tiranës, duke vënë në shënjestër numëruesit e Partisë Demokratike dhe duke kërkuar hetim të plotë të rezultatit.
Nga burgu, ku ndodhet prej disa muajsh, Meta nënshkroi një urdhër për analizimin e votave në çdo njësi dhe qendër votimi, duke lënë të nënkuptohet se procesi mund të jetë deformuar nga brenda vetë opozitës.
“Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.” tha Meta, duke falënderuar mbështetësit që, sipas tij, rezistuan ndaj “presioneve të Narkoshtetit”.
Meta dështoi të sigurojë një mandat deputeti në listën e përbashkët të opozitës PD–ASHM dhe akuzon qeverinë për manipulim sistematik, që ka cenuar rëndë demokracinë dhe shtetin e së drejtës.