
Meta ka filluar të paralajmërojë qindra mijëra adoleshentë në Australi se llogaritë e tyre në Instagram, Facebook dhe Threads do të fshihen në ditët në vijim, përpara ndalimit të plotë që pritet të hyjë në fuqi më 10 dhjetor. Masa synon përdoruesit nën 16 vjeç dhe përbën ndërhyrjen më të madhe të kompanisë në kontrollin e moshës.
Duke nisur nga 4 dhjetori, Meta do të mbyllë automatikisht profilet e të gjithë përdoruesve të regjistruar si nën moshën 16 vjeç dhe do të bllokojë krijimin e llogarive të reja. Sipas vlerësimeve të kompanisë, kjo lëvizje prek rreth 350,000 përdorues të Instagram-it dhe 150,000 të Facebook-ut në Australi. Përdoruesit e prekur po marrin paralajmërime përmes emailit, SMS-ve dhe njoftimeve brenda aplikacionit, me mesazhin se kanë dy javë kohë për të shkarkuar ose fshirë të dhënat e tyre përpara se profili të çaktivizohet. Messenger nuk do të preket për momentin.
Meta i këshillon adoleshentët të ruajnë postimet, fotot dhe bisedat, si dhe të lënë një kontakt që do t’u mundësojë riaktivizimin e llogarisë sapo të mbushin 16 vjeç. Kompania pranon se procesi mund të ndikojë edhe tek përdorues që janë realisht mbi moshën minimale, për shkak të pasaktësive në sistemin e zbulimit.
Për të kundërshtuar çaktivizimin, përdoruesit do të duhet t’i nënshtrohen një verifikimi të moshës përmes një video-selfie ose duke dorëzuar një dokument zyrtar identifikimi. Analiza e moshës do të kryhet nga kompania Yoti, e cila përdor inteligjencë artificiale për të vlerësuar moshën nga pamja e fytyrës. Meta dhe Yoti deklarojnë se të dhënat nuk do të ruhen./BalkanWeb







