Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka ankimuar në Apel masën e sigurisë “Arrest me burg”, nën arsyetimin se nuk ekziston rrezik që të prishë provat dhe se nuk rrezikohet arratisja e tij pasi ka deklaruar se do të përballet me drejtësinë.

Këtë gjë ai e ka theksuar edhe gjatë seancës së sotme teksa ka bërë mbrojtjen.

yacht hotel sarande

Meta mohon mundësinë e arratisjes dhe kërkon të lejohet të përmbushë detyrimet si politikan, sipas praktikave amerikane.

“Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen.
Ky hetim skandaloz i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGonigalët, i bazuar në mashtrime, manipulime dhe njëanshmëri ekstreme, i konkluduar me një rrëmbim banditesk, siç e kanë parë të gjithë nga banditë me maska, që hyjnë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk identifikohen, që nuk japin asnjë shkresë apo akt zyrtar, që nuk të lejojnë të kontaktosh avokatin, që nuk të njohin me të drejtat e tua dhe që dhunshëm të fusin në një makinë private për të të çuar në Drejtorinë e Policisë, ku vetëm pas dy orësh vijnë oficerët e Policisë Gjyqësore, duhet të marrë fund. Unë asnjëherë nuk i kam refuzuar ftesat e SPAK-ut. Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve”, tha Meta.

Ai theksoi më tej se “Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën tim”.

“Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh.
Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani.
Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullistë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës.
Kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë”, deklaroi Meta./balkanweb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu