Papa Papa Leone XIV ka kremtuar Meshën e parë të Krishtlindjes si At i Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke përcjellë një mesazh të fortë për dinjitetin njerëzor dhe duke kritikuar modelet ekonomike kapitaliste që, sipas tij, e trajtojnë njeriun si mall. Para nisjes së kremtimit, Papa surprizoi besimtarët duke dalë në sheshin e Shën Pjetrit për t’i përshëndetur personalisht, pavarësisht shiut të dendur.

Në homelinë e natës së Krishtlindjes, Papa Leone XIV theksoi se “ndërsa një ekonomi e shtrembëruar i shtyn njerëzit të trajtohen si mall, Zoti bëhet i ngjashëm me ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi”. Duke cituar Benediktin XVI, ai paralajmëroi se “nuk ka vend për Zotin nëse nuk ka vend për njeriun”, duke ftuar komunitetet të mos mbyllin dyert për fëmijët, të varfrit dhe të huajt. Sipas tij, aty ku ka vend për njeriun, ka vend edhe për Zotin, ndërsa stalla e Betlehemit është më e shenjtë se çdo tempull.

Sipas Vatikanit, Meshën e Natës së Krishtlindjes e ndoqën rreth 6 mijë besimtarë brenda Bazilikës së Shën Pjetrit dhe rreth 5 mijë të tjerë në Piazza San Pietro. Pikërisht për ata që nuk arritën të hynin në bazilikë, Papa doli në shesh për t’i falënderuar për praninë dhe përkushtimin e tyre, duke i përshëndetur me një mesazh paqeje.

Kjo Meshë shënon Krishtlindjen e parë të Papa Leone XIV si pontif, në një kohë të trazuar globale, ku mesazhi i tij u përqendrua te solidariteti, respekti për njeriun dhe nevoja që shoqëritë moderne të vendosin dinjitetin njerëzor mbi interesat ekonomike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu