
Mesfusha Barela, Çalhanoglu dhe Mkhitarian, mbetet një simfoni e paharrueshme për tifozët zikaltër. Me ta, Inter fitoi yllin e dytë në fanellë dhe luajti dy finale Championsi në vetëm tri vite.
Por muzika ka nevojë për rifreskim, dhe për të vazhduar në krye të skenës europiane, trajneri i ri Kristian Kivu po kërkon harmoni të re në qendër të fushës. Ndryshimet kanë nisur që nga ndeshjet e para të verës, ku ish-mbrojtësi legjendar i Interit po eksperimenton me skema të reja dhe rotacione të ndryshme, madje edhe përtej Atlantikut në Kupën e Botës për Klube. Por rolin më të madh e luan merkatoja, e veçanërisht situata e paqartë e Çalhanoglusë, që mund të shkundë përfundimisht strukturën e mesfushës zikaltër.
SURPRIZA SUÇIÇ- Sytë tashmë janë kthyer nga afrimi më i fundit, Petar Suçiç. Vetëm 22 vjeç (i mbush në tetor), talenti kroat është transferuar nga Dinamo Zagreb për 14 milionë euro dhe ka lënë shenjat e para në ndeshjet e para me Interin, sidomos gjatë Kupës së Botës për Klube. Suçiç është një mesfushor modern dhe i gjithanshëm, mund të luajë si “numër 6”, si “mezzala” (siç e quajnë italianët) apo në qendër të organizimit të lojës. Nëse Kivu vendos të formojë një mesfushë me dy lojtarë qendrorë dhe krahë ofensivë si Dumfris e Dimarko, atëherë Suçiç ka realisht shanse për të hyrë në rotacion. Ai ka përvojë në këtë sistem edhe me kombëtaren kroate, duke bashkëpunuar me yllin veteran Luka Modriç, tashmë pjesë e Milanit. Në një Inter të thellë në opsione, objektivi i parë i Suçiç do të jetë të fitojë hapësira në skemën e trajnerit. Por nëse Çalhanoglu largohet gjatë verës, roli dhe rëndësia e kroatit mund të rriten ndjeshëm.
XHAKA- Për të balancuar rininë e Suçiç, Interi ka vënë syrin te një profil me përvojë të lartë, Granit Xhaka. Mesfushori i Zvicrës, mbi 30 vjeç, sjell eksperiencë, qartësi taktike dhe fleksibilitet, elementë kyç për filozofinë e lojës që Kivu po ndërton. Ai nuk do të pengojë rritjen e Suçiç, por përkundrazi do të ofrojë stabilitet dhe mentorim në një sektor në transformim. Ndërtimi i mesfushës së re po merr formë, dhe Interi duket se ka një plan të qartë, të përziejë talentin e ri me përvojën e testuar. Epoka e “Ba-Ca-Mi” mund të jetë drejt mbylljes, por zikaltrit janë gati për një simfoni të re, ndoshta më të freskët, por jo më pak ambicioze./Panorama