
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, ka përcjellë një mesazh të fortë shpirtëror në ditën e parë të Vitit të Ri 2026, duke theksuar se lumturia e vërtetë nuk vjen nga pasuria apo fama, por nga afrimi me Perëndinë dhe jeta e thellë shpirtërore.
Kryepiskopi Joan mbajti sot Liturgjinë e parë Hyjnore për vitin 2026, e cila përkoi me dy ngjarje të rëndësishme të kalendarit ortodoks: rrethprerjen e Jezu Krishtit dhe përkujtimin e Shën Vasilit të Madh. Në fjalën e tij, ai theksoi se ndonëse Viti i Ri është një festë civile dhe jo fetare, çdo dimension i jetës njerëzore mund dhe duhet të shenjtërohet.
“Ne urojmë çdo vit ‘Gëzuar’ dhe ‘një jetë të lumtur’, sepse e ndiejmë që diçka na mungon. Njeriu kërkon lumturinë, por nuk e gjen atë te pasuria, fama apo pushteti. Ato nuk e mbushin shpirtin”, u shpreh Kryepiskopi, duke cituar Shën Agustinin dhe Shkrimin e Shenjtë.
Ai solli shembuj nga Ungjilli dhe historia biblike, duke theksuar se vetëm fjala e Zotit është ‘fjalë jete’ dhe burim i qëndrueshëm gëzimi, ndërsa një jetë pa ushqim shpirtëror çon në zbrazëti dhe dëshpërim.
Në mesazhin e tij, Kryepiskopi Joan u ndal edhe te sfidat e shoqërisë moderne, duke theksuar se përpjekjet për të ndërtuar “parajsën në tokë” pa Perëndinë kanë dështuar dhe shpesh kanë sjellë vuajtje. “Nuk ka gëzim aty ku mungon Zoti”, tha ai, duke cituar profetin Isaia.
Në predikim, Kryepiskopi iu drejtua grupeve të ndryshme të shoqërisë: të sëmurëve, të varfërve dhe atyre në vetmi, duke i ftuar të mos dëshpërohen; fëmijëve dhe të rinjve, që të ushqehen me fjalën e Ungjillit; familjeve, që të ruajnë dashurinë, faljen dhe paqen; si dhe të moshuarve, që vitet e mbetura t’i shfrytëzojnë për afrimin me Perëndinë.
Në përfundim, Kryepiskopi Joan uroi që fillimi i vitit 2026 të jetë për çdo besimtar një thirrje për një rrugëtim të ri shpirtëror, duke përfunduar mesazhin me urimin për “një vit të mbarë, të bekuar dhe për shumë vjet”.




