
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, u ndal gjerësisht te vota e diasporës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke theksuar se shqiptarët jashtë vendit dhanë një mesazh të qartë në zgjedhjet e 11 majit 2025. “Dy ndër tre shqiptarë të diasporës i besuan Edi Ramës dhe Partisë Socialiste,” deklaroi Balla, duke shtuar se ky rezultat është i verifikueshëm në të gjitha komunitetet shqiptare në SHBA, Kanada, Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali dhe Greqi.
Balla kritikoi Partinë Demokratike për mospërmendjen e diasporës ndërsa falënderoi publikisht qytetarët shqiptarë jashtë vendit: “Nuk dëgjova asnjë fjalë për diasporën nga kryetari i PD-së. Dua t’ju them shumë faleminderit motra e vëllezër në diasporë për votën që i dhatë Partisë Socialiste.” Ai theksoi se qeveria ka prioritet forcimin e marrëdhënies me diasporën, duke premtuar që brenda vitit 2026 të gjitha shërbimet konsullore do të jenë të ofruara online dhe se do të shtohet prezenca e konsullatave shqiptare në vendet ku komunitetet janë më të mëdha.
Në vijim, Balla u rikthye te procesi zgjedhor, duke kujtuar se zgjedhjet e 11 majit ishin “më të hetuarat ndonjëherë”, ndërsa akuzoi PD-në se nuk paraqiti asnjë provë për pretendimet e saj. Ai kërkoi që reforma zgjedhore të çojë drejt heqjes së numëruesve të partive ndërsa theksoi se financimi i partive politike dhe fushatave mbetet një çështje që duhet adresuar urgjentisht.
Fjala e plotë
Së pari më lejoni t’i uroj gëzuar festën e Partisë Demokratike, 35 vjetor i rëndësishëm i një prej forcave më të rëndësishme politike në tranzicionin shqiptar. E më vjen shumë keq që ky 35 vjetor ju gjen edhe në rezultatin më të dobët historik të partisë tuaj. Më i dobët se edhe në vitin 1997, më i dobëti se në të gjitha betejat që u drejtohej Luli, edhe pse u desh të bashkoheshit rrugës edhe me atë që kishte mbetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
E vërteta është që në zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk është faji ynë që nuk ju votuan shqiptarët. Por e mira është që për herë të parë pas gjithë këtyre humbjeve ta shikoni problemin te vetja.
Kolegu që foli këtu përmendi rezultatin e zgjedhjeve në diasporë. Po mirë, në Shqipëri sipas jush paska ndikuar shteti, pushteti dhe gjithçka tjetër. Po në diasporë ç’ju gjeti?
Si ka mundësi që 2 ndër 3 shqiptarë në diasporë i besuan Edi Ramës dhe Partisë Socialiste? Dhe po ja them, 2 ndër 3 shqiptarë. Kemi qenë dhe na krijuan mundësinë e madhe që të kuptojmë se si kanë votuar të gjitha komunitetet shqiptare në diasporë për shkak të ndarjes që u kërkua nga ana juaj.
Dhe ne kemi fituar në diasporën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Britaninë e Madhe, në Gjermani, në Itali, në Greqi.
E sot nga foltorja e Kuvendit dua t’u shpreh falënderimin më të madh, sepse nuk e dëgjova asnjë fjalë për diasporën nga kryetari i Partisë Demokratike. Dua t’ju them shumë faleminderit motra e vëllezër në diasporë për votën që i dhatë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
Ne e kemi lexuar me vëmendje votën tuaj dhe duam që në këtë mandat që sapo kemi filluar, marrëdhënia e shtetit amë me diasporën të jetë marrëdhënie më e fortë, marrëdhënie më e ngushtë. Më shumë shërbime të ofruara drejtpërdrejt te vëllezërit tanë diasporë, shërbimet konsullore, me synimin që i kemi vënë vetes që brenda vitit 2026 të gjitha shërbimet konsullore t’i ofrohen diasporës online, për të mundësuar shërbimet kudo që ndodhen shqiptarët. Dhe ndërkohë kemi marrë angazhimin për të shtuar prezencën tonë me konsullata në disa prej komuniteteve, siç na e kanë kërkuar ata.
E dëgjova këtu serinë e alibive. Zgjedhjet e 11 majit do të mbahen mend edhe për një element tjetër që është thelbësor: janë zgjedhjet më të hetuara ndonjëherë në Shqipëri. Nga 11 maj dhe deri në fund të gushtit, kur u certifikua tërësisht procesi zgjedhor, Partia Demokratike ka depozituar një numër të paimagjinueshëm ankesash. Kërkesa të cilat, sipas vendimeve të gjykatave – pra i referohem Kolegjit Zgjedhor – në asnjë prej rasteve Partia Demokratike, subjekti zgjedhor, nuk paraqiti asnjë provë të vetme. Asnjë provë të vetme për manipulimet, proces zgjedhor. Asnjë, as edhe një.
Por më e bukura dhe më e rënda ishte fyerja, mosbesimi që i bëtë vetë numëruesve tuaj. Pas 35 vjetësh të një sistemi që ne kemi vite që ju themi duhet të heqim dorë nga historia që votat numërohen nga numërues partish, ishit ju ata që kundërshtuat numëruesit tuaj, kërkuat rinumërim të votave. E për pasojë, besoj që tanimë e kemi dakordësinë tuaj që në reformën zgjedhore që na pret ta bëjmë fakt: nuk duhet të kenë më punë partitë me numërimin e votave.
Partive, pas zgjedhjeve të 11 majit, u është hequr e drejta të emërojnë numërues.
Numëruesit duhet t’i zgjedhë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sepse edhe ju, ne s’kishim asnjë problem. Edhe ne jemi dakord që numëruesit të mos vijnë më nga partitë politike.
E pra, ja edhe një element tjetër.
Ju dëgjova këtu. Dëgjova zotërinë. E kam dëgjuar shpesh para zgjedhjeve. Jemi shkëmbyer në shkallët e një hoteli në Tiranë me kryetarin e partisë tuaj, pasi ne kishim mbaruar takimin me OSBE–ODIHR-in me misionin, dhe më pas miqtë tanë të përbashkët, eurodeputetë që ishin aty, më thanë: ishte 1-2 ditë para zgjedhjeve më thanë – “zgjedhjet paskan mbaruar, Partia Demokratike nuk i njeh zgjedhjet”.
Pa u zhvilluar zgjedhjet akoma. Pa u zhvilluar fare. “Ne nuk i njohim zgjedhjet.” Por kjo nuk ka qenë surprizë për ne. Më thoni, cilat zgjedhje i keni njohur? Zotëri, më thuaj një palë zgjedhje që ju i keni njohur. Të ’97-ës s’i njohët. Të vitit 2000? Kurrsesi. Të vitit 2001? Jo. Apo njohët zgjedhjet e vitit 2005? Po, në 2005..
Zoti kryetar, kemi bërë një marrëveshje. Ju lutem shumë, dikush bën zhurmë.
Dhe në 2001-in nuk i njohe, në 2005 po i njohe. Në 2005-ën, jo vetëm që i njohët zgjedhjet, por kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, mori përsipër humbjen e zgjedhjeve. U largua. Dhe në 2013 ishit në qeveri, por nuk i njohët zgjedhjet. Thatë “aleanca e qelbësirave” – po citoj brenda thonjëzave. Për shkak të aleancës që ne kishim pastaj 2015, 2017, 2019, 2021 – bëmë ca zgjedhje në 2022-shin që e hëngri Luli dhe u rikthye zotëria në krye të partisë. Dhe me radhë… 2023, 2025. Kështu ishit dhe tani, në këto zgjedhje, 5 bashki: 5 me 0. Dhe 2027-a po vjen.
Por detyra jonë si parlamentarë është të bëjmë detyrën që na takon. Raportin e OSBE–ODIHR-it ta lexojmë me vëmendje. Kemi edhe disa raporte të tjera që i kemi lexuar, por nuk i kemi transpozuar në ndryshime në Kodin Zgjedhor. Komisioni Europian na e rikujtoi edhe në progres-raportin e fundit se duhet t’i japim zgjidhje disa prej çështjeve problematikave që lidhen.
Unë e përshëndes dhe e kam mbështetur gjithmonë përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Edhe në zgjedhjet e fundit përdorimi i teknologjisë në bashkinë apo minibashkinë ku u përdor bëri që rezultati të dalë shpejt.
Prandaj ne, Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar, e kemi mirëpritur këtë diskutim të sotëm. Dhe të gjitha mësimet e këtij diskutimi le t’i marrë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, i cili duhet të merret menjëherë me këtë çështje.
E përsëris apelin tonë që një prej çështjeve për të cilat duhet të merremi në mënyrë të menjëhershme është çështja e financimit të partive politike, çështja e financimit të fushatave zgjedhore. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë, kemi punuar mbi bazën e një drafti prej vitit 2016 e këtej, dhe jemi në 2026 pothuajse. Ne duhet ta adresojmë dhe atë së bashku, sepse financimi i partive politike, financimi i fushatave zgjedhore është një prej atyre elementëve që janë detyrë shtëpie për t’u adresuar.
E këtu edhe ju keni ca halle që duhet t’i qartësoni, se helbete, të harxhosh 6 milionë dollarë për të thënë një javë a para zgjedhjeve”, se u hoq non grata edhe në grtën… aty e kemi mes nesh, ta kemi gjatë. Urime edhe një herë partisë, pleqëroftë njëlloj si kryetari i partisë tuaj. Faleminderit






