
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë një video-mesazhi nga Brukseli drejtuar qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, theksoi disa nga përfitimet konkrete që do të sjellë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së.
Ai theksoi se me pasaportën europiane, të rinjtë shqiptarë do të kenë të drejtën të studiojnë në çdo universitet të Europës me të njëjtat tarifa si studentët vendas, ndërkohë që çdo qytetar shqiptar do të mund të punojë pa leje pune dhe të përfitojë nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në vendin ku jeton.
“Qytetarët pyesin shpeshherë se cilat janë disa nga përfitimet e tyre kur marrin pasaportën e Bashkimit Europian. Me pasaportën e BE-së, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë do të mund të studiojnë në çdo universitet të Europës me tarifa të njëjta sikurse studentët e tjerë europianë. Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të mund të punojë pa leje pune, si dhe të përfitojë nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të shtetit ku punësohet brenda Bashkimit Europian. Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të përfitojë nga të njëjtat standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave individuale para çdo institucioni të Bashkimit Europian ose çdo gjykate të vendeve anëtare,” theksoi Balla.
Ai shtoi gjithashtu se shqiptarët do të kenë të drejtë të votojnë dhe të kandidojnë në zgjedhjet vendore të vendeve ku jetojnë, si dhe të marrin pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Sipas tij, Shqipëria do të ketë eurodeputetët e vet dhe përfaqësues në institucionet më të larta të BE-së.
“Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë dhe të kandidojë në zgjedhjet vendore kudo që jeton në secilin prej vendeve të Bashkimit Europian, si dhe të votojë për zgjedhjet në Parlamentin Europian. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve europiane dhe madje do të ketë eurodeputetët e vet shqiptarë në këtë ndërtesën këtu pas meje. Do të kemi edhe komisionerin në qeverinë e Bashkimit Europian në një ndërtesë tjetër diku këtu afër, si dhe shumë djem dhe vajza në administratën e Brukselit,” deklaroi Balla.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë që më 11 maj të votojnë për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, duke theksuar se kjo është rruga drejt një Shqipërie europiane.
“Me pasaportën e BE-së, çdo ambasadë e Bashkimit Europian të vjen në ndihmë kudo që të ndodhesh, nëse nuk ke pranë një ambasadë shqiptare. Pra, më 11 maj, voto Partia Socialiste, voto Edi Rama, voto numrin 5.”