
Ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami ka reaguar për herë të parë pas publikimit të disa bisedave të cilat pretendohen se janë kryer mes saj dhe deputetet socialiste, Klotilda Bushkës lidhur me aktivitetet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një deklaratë të drejtuar qytetarëve, kolegëve, miqve dhe përfaqësuesve të medias, Llagami ka sqaruar se komunikimet e pretenduara mes saj dhe deputetes socialiste që janë shpërndarë nëpër media janë të pavërteta dhe të fabrikuara që lehtësisht mund të verifikohen.
Ndër të tjera ish-kryetarja KLGJ-së thekson se këto mesazhe janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme nga një person i cili prej një viti e ka përndjekur në platformat sociale “LinkedIn” dhe “Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë rëndë reputacionin e saj.
“Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim. Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ)”, shkruan ajo ndër të tjera.
Kujtojmë se më herët erdhi një reagim edhe nga deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka. Në të njëjtën linjë ashtu sikurse Llagami, Bushka tha se komunikimet nuk janë të vërteta dhe se këto sajesa po bëhet me qëllime të caktuara. Madje deputetja socialiste paralajmëroi që do të ndjekë edhe rrugën ligjore për të vënë drejtësinë në vend.
Prej ditësh tanimë nëpër rrjet po qarkullojnë disa mesazhe të cilat thuhet se janë mes Bushkës dhe Llagamit.
Reagimi i plotë i Llagamit:
Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje.
Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm. Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim.
Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ).
Vlerësoj nevojën për të dhënë këtë sqarim, pasi në 5 vjet që kam drejtuar KLGJ, jam përpjekur së bashku me koleget e mi, të krijojmë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor.
Për të gjithë sa sqaroj më sipër, do të ndjek rrugën ligjore./Tema