Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi me një ton të fortë dhe simbolik pas pjesëmarrjes në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, duke shkruar:

“Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane! Faleminderit, President Trump!”

Deklarata erdhi pasi Donald Trump përmendi publikisht Kosovën dhe Serbinë gjatë fjalës së tij, duke lënë të kuptohet se SHBA mbetet e gatshme të luajë rol aktiv në garantimin e stabilitetit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Në sallë u vu re edhe një moment komunikimi i drejtpërdrejtë mes Trump, Osmanit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një bisedë e shkurtër kokë më kokë.

Takimi shënoi një prani të koordinuar të Tiranës dhe Prishtinës në një forum të nivelit të lartë ndërkombëtar, ku u diskutuan jo vetëm çështjet e Lindjes së Mesme, por edhe stabiliteti në Ballkan.

Në këtë kontekst, reagimi i Osmanit u lexua si konfirmim i mbështetjes strategjike amerikane për Kosovën, në një moment kur dinamika rajonale dhe proceset gjyqësore në Hagë po mbeten në qendër të vëmendjes politike.

Takimi i Bordit të Paqes duket se i ka dhënë një dimension të ri rolit të Kosovës dhe Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, ndërsa mesazhi nga Uashingtoni u shoqërua me simbolikë të fortë politike dhe me sinjale për angazhim të vazhdueshëm amerikan në rajon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu