
Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të hënë një fjalim historik në Knesset, parlamentin e Izraelit, ku theksoi se Shqipëria duhet të shërbejë si busull orientimi për botën, duke sjellë si shembull bashkëjetesën fetare dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalën e tij, Rama nënvizoi se pa çarmatosjen e Hamasit nuk mund të ketë paqe, duke e cilësuar atë si “xhelatin e Gazës”.
“Nuk ka paqe pa çarmatosjen e Hamasit. Ai është xhelati i Gazës,” deklaroi kryeministri shqiptar, duke marrë duartrokitje nga të pranishmit.

Muze për shpëtimin e hebrenjve do të hapet në Vlorë
Rama bëri të ditur se në qytetin e Vlorës do të hapet një muze i dedikuar shpëtimit të hebrenjve nga populli shqiptar, që nga shekulli XVI, me synim ruajtjen e kujtesës historike dhe edukimin e brezave të rinj.
“Me krenari do të hapim për herë të parë muzeun për veprat e popullit shqiptar për të shpëtuar hebrenjtë, që nga shekulli XVI. Ky muze do të jetë një dëshmi e humanizmit tonë,” tha Rama.
Shqipëria, shembull unik në Europë
Kryeministri kujtoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte para saj, duke theksuar se asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
“Gjyshërit tanë zgjodhën humanitetin. Kjo histori nuk është një ornament, por një busull që duhet ndjekur nëse duam të mbetemi të denjë,” u shpreh Rama.
Një nga frazat që u prit me duartrokitje të gjata ishte:
“Do të preferonim të vdisnim, sesa të dorëzonim hebrenjtë tanë.”

Tunelet e Hamasit si dëshmi historike
Duke iu referuar sulmit të 7 tetorit 2023, Rama sugjeroi që tunelet ku u mbajtën dhe u torturuan pengjet izraelite nga Hamasi të ruhen si dëshmi historike, në funksion të kujtesës kolektive dhe paqes afatgjatë.
“Shumë media e kanë përshkruar Gazën si burg në qiell të hapur, por kanë harruar të tregojnë kush është xhelati. Xhelati është Hamasi,” tha Rama.
Mirënjohje për mbështetjen e Izraelit ndaj Shqipërisë
Kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e Izraelit ndaj Shqipërisë gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit, duke kujtuar se Tirana nuk ka më marrëdhënie diplomatike me Teheranin.
“Më lejoni të shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë,” tha Rama.

Thirrje për paqe: Jepini një shans jetës!
Në mbyllje të fjalimit, Rama bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për paqe, duke u kërkuar të gjitha palëve t’i japin fund dhunës.
“T’i japim një shans të ri jetës, të veprojmë me dinjitet njerëzor. Paqja nuk është vetëm rruga drejt së ardhmes, por e vetmja mënyrë për të pasur sukses,” u shpreh ai.
Fjalimi u shoqërua edhe me nota humori, kur Rama tha se “hebrenjtë flasin gjatë, por ballkanasit flasin edhe më gjatë”, duke shkaktuar reagime pozitive në sallë.
Në përfundim, Rama uroi:
“Lulëzoftë në përjetësi shteti i Izraelit dhe në dinjitet populli palestinez, që të dy së bashku në të ardhmen.”






