
Futje e sendeve të ndaluara në qeli”/ SPAK akuzë të re Veliajt, zbulohet episodi që rëndoi pozitat e kryebashkiakut
SPAK i ka komunikuar sot kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj një akuzë të re, lidhur me futjen në ambientet e paraburgimit të sendeve të ndaluara.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se akuza lidhet me faktin që Veliaj ka përdorur telefonin e një polici dhe ka bërë telefonata, gjatë kohës që e kanë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit.
Fakti që telefoni është përdorur në automjetin me të cilin po transferohej kryebashkiaku, konsiderohet si futje e sendeve të huaja në ambientin e paraburgimit, pasi automjeti është nën juridiksionin e këtij të fundit.
Ditën e sotme kryebashkiaku Veliaj ishte për një orë e 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme , ku u pyet nga prokurorët lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj tij.
Kjo është hera e parë që kryebashkiaku i Tiranës merret në pyetje pas caktimit të masës së sigurisë arrest me burg nga gjykata dhe transferimit të tij në paraburgimin e Durrësit.
Kujtojmë se Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./Balkanweb