
Prej 26 korrikut, planeti Mërkur ka hyrë në retrogradë dhe do të qëndrojë në këtë pozicion deri më 19 gusht. Për ata që ndjekin astrologjinë, kjo është një periudhë ku pritet kaos në komunikim, vendime impulsive, keqkuptime dhe tensione emocionale. Për ata që nuk besojnë në ndikimin e planetëve, ky mbetet një rast interesant reflektimi për atë që po ndodh përreth.
Në Shqipëri, ditët e fundit kanë qenë të mbushura me ngjarje të rënda: konflikte të ashpra fizike, raste të rënda dhune familjare, zjarrvënie të dyshuara kriminale, sherre me pasoja të rënda dhe tension publik në rritje. Shumë pyesin: a është kjo thjesht një përkim në kohë, apo një pasqyrim i ndikimeve të padukshme kozmike?
Mërkuri, planeti i komunikimit dhe logjikës, kur është në retrogradë, thuhet se e ngatërron mendjen dhe emocionet tona. Krijon terren për konflikte, përplasje, mungesë qartësie dhe reagime të nxituara. Kjo periudhë shpesh koincidon me trazira kolektive, sidomos në shoqëri me tension të brendshëm si e jona.
Astrologjia nuk e justifikon dhunën. Por mund të ndihmojë në kuptimin e klimës së përgjithshme psikologjike. Kur një shoqëri është e lodhur, e frustruar dhe e pambështetur institucionalisht, atëherë një ndikim shtesë si Mërkuri në retrogradë mund të jetë “shkëndija” që ndez zjarrin.
Ndaj, në vend që të presim që gjërat të normalizohen vetë, kjo është një thirrje për më shumë kujdes, vetëkontroll, qetësi dhe reflektim. Sepse ndoshta nuk është vetëm faji i planetëve, por edhe i yjeve të rrënuar në tokë – ne vetë.