Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar pas deklaratave të sotme të kreut të Partisë Demokratike, të cilat lidhen me një letër të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, dërguar institucioneve ndërkombëtare që morën pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Shqipëri.

Në një deklaratë zyrtare, MEPJ sqaron se në këtë letër nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në punën e Misionit të ODIHR, dhe në asnjë rast nuk është ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të tij.

“Është praktikë normale e çdo procesi zgjedhor që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit të vëzhguesve sqarime teknike dhe kontekstuale lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të ndihmuar në përgatitjen e një raporti përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova”, thuhet në reagimin e MEPJ.

Sipas ministrisë, sqarimet e dërguara janë propozime që mbeten në diskrecionin e plotë të ODIHR për t’u marrë ose jo në konsideratë.

MEPJ kujton gjithashtu se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë, duke konfirmuar se nuk ka pasur asnjë lloj presioni apo ndërhyrje në punën e misionit të tij në Shqipëri.

“Ministria mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues, në përputhje me mandatin e ngarkuar nga ODIHR,” përfundon deklarata.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu