Në shfaqjen e sotme me shefat e shërbimeve në QSUT pas skandalit te Onkologjiku, kryeministri Edi Rama tha se, për të rregulluar problemet në qendrën më të madhe spitalore të vendit do të asistohet edhe nga menaxherë të huaj.
Në rastin më të mirë ky propozim i kryeministrit është një lëvizje bosh nga paniku për t’i bërë makjazhin e radhës sistemit të degraduar shëndetësor. Në rastin më të keq është thjesht një lëvizje e përllogaritur për të ndarë para me kompani ndërkombëtare të lidhur në mënyrë klienteliste me qeverinë.
Në këtë mënyrë Edi Rama veproi në vitin 2014 kur erdhi në pushtet. Kontraktoi kompaninë britanike “Crown Agents”, e cila do të na tregonte se kishte korrupsion nëpër dogana, a thua se duhej ndonjë shkencë e madhe për ta ditur qeveria këtë gjë. Misioni anglez i kësaj kompanie iu kushtoi taksapaguesve mbi 8.2 milionë euro edhe pse rritja e të ardhurave të premtuara nëpër dogana prej kësaj asistence nuk u pa gjëkundi.
Pak javë më parë u publikua edhe vendimi i qeverisë për të kontraktuar kompaninë amerikane të konsulencës, Boston Consaltin Group për të luftuar korrupsionin. Për këtë kontratë Edi Rama autorizoi Ulsi Manjën dhe Adea Pinderin të prokurojnë me negocim të drejtpërdrejtë.
Pra, pas 11 vitesh në pushtet, Edi Rama ka nevojë për konsulencë se si të luftojë korrupsionin, ka nevojë për asistencë të huaj se si të përmirësojë sistemin shëndetësor. Sa qesharake aq edhe ulëritëse kjo situatë. S’do shumë mend për të kuptuar se kjo është tallja e radhës e Rilindjes me shqiptarët dhe tentativa tjetër për të zhvatur paratë e buxhetit te kompanitë klienteliste.
Njësoj si anglezët e “Crown Agents” me xhupa që morën miliona euro për dy vjet, tanimë do të shohim edhe “menaxherët e jashtëm” që Edi Rama do t’i sjellë në Shqipëri për të bërë biznes me taksat tona. Ndërkohë koncensionet kriminale me firmën e Ilir Beqajt për oligarkët e oborrit të Ramës, vijojnë të gllabërojnë miliona euro nga buxheti i shtetit. ©LAPSI.al