Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, Krasniqi u shpreh se ky vendim përbën një mundësi të humbur për forcimin e besimit në drejtësinë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, duhet të mbështetet në objektivitet, paanshmëri dhe të vërtetën.

“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, shkruan Krasniqi.

Ai thekson se e vërteta për luftën çlirimtare të UÇK-së nuk mund të deformohet, pavarësisht vendimeve të përkohshme gjyqësore, dhe se historia është shkruar me gjakun dhe sakrificën e popullit të Kosovës, jo në sallat e gjykatave.

“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë.”

Duke shprehur bindjen se vendimi final do të jetë ai i lirisë për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, kreu i PDK-së përfundon deklaratën me një mesazh simbolik:

“Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën.”

Procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të mbetet një prej temave më të ndjeshme në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu