
Në një konferencë për media në selinë qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kryetari Memli Krasniqi njoftoi dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar këtë vendim si “një hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në”.
Në fjalimin e tij, Krasniqi falënderoi qytetarët, anëtarët dhe mbështetësit e PDK-së për përkrahjen gjatë më shumë se dy dekadave të angazhimit politik.
“Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet, por shumëherë e di në çfarë do të besojë. Dhe unë, që nga rinia, e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia”, tha ai.
Ai rikujtoi udhëtimin e tij politik, që filloi në vitin 2004, si aktivist i Rinisë Demokratike dhe vazhdoi deri në postin e Kryetarit të PDK-së.
“Ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime… Mbi të gjitha, kam pasur nderin e pakrahasueshëm të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, shtoi Krasniqi.
Duke folur për nevojën e ripërtëritjes brenda partisë, ai theksoi: “Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës”.
Krasniqi njoftoi gjithashtu se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë. Ai përfundoi fjalimin me mirënjohje dhe urime për partinë dhe vendin.
“Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari… Zoti e bekoftë PDK-në. Zoti e bekoftë Kosovën”.
Kujtojmë se Memli Krasniqi e kishte marrë postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës më 3 korrik 2021, pas dorëheqjes së Kadri Veselit. Ai u zgjodh me votim të njëzëshëm në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë.
Krasniqi ishte nënkryetar i PDK-së, që nga shkurti 2013. Ai para se të merrte postin e kryetarit të partisë ka qenë edhe ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (2014-2017) dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga (2011-2014).
Memli Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së
Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Krasniqi në një konferencë të mbajtur për medie.
“Në rini njeriu nuk e di se çfarë do të bëhet, por e di se në çfarë do të besojë. Unë e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia. Në vitin 2004 u bashkova në PDK. Ishte një ditë sikur sot. Në atë moment, as në dëshirat e mia më të mira nuk e kisha imagjinuar rrugëtimin që më priste. Mbi 20 vjet angazhim me PDK-në kam pasur nderin të punoj për shtetin dhe qytetarët. Në mesin e shumë ndereve të mëdha, kam pasur nderin jetësor që ta nënshkruaj deklaratën e pavarësisë. Këtë ma ka dhënë PDK. Ka qenë nderi më i madh i jetës sime ta udhëheq këtë parti. Si kryetar, bashkë, kemi kaluar shumë sfida. Në tri parë zgjedhje PDK është rritur dhe forcuar. Sot jam krenar me atë qe kemi arritur, por kjo nuk është përmbushje e ambicieve tona. Sot, pas shumë kohë reflektimi, besoj se ka ardhur momenti i duhur. Një parti që besoi në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtritje. Prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet as me zhvillimet e fundit”, ka shtuar ai./Rtk







