Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Romë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se Italia mbetet një mbështetëse kyçe e rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe se Roma zyrtare do të ndihmojë fuqimisht Tiranën nëse Shqipëria i përmbush detyrimet teknike të procesit të negociatave.

Duke folur nga Villa Doria Pamphili, pas mbledhjes së parë ndërqeveritare Shqipëri–Itali, Meloni e cilësoi ditën si historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se bashkëpunimi është më i thellë se kurrë më parë, si në ekonomi, energji, transport, korridorin VIII, ashtu edhe në sigurinë kibernetike e luftën kundër trafikut të drogës.

“Do të ishte natyrale që Italia t’i hapte negociatat politike gjatë presidencës së saj”

Kryeministrja italiane u ndal veçanërisht te integrimi europian i Shqipërisë, duke theksuar se nëse momenti kur Shqipëria mbyll kapitujt teknikë përkon me periudhën kur Italia merr presidencën e radhës së BE-së (në 6-mujorin e parë të vitit 2028), atëherë Roma do të luajë një rol kyç në shtyrjen përpara të procesit:

“Do të ishte një arsye e madhe kënaqësie që negociatat politike të hapeshin pikërisht gjatë presidencës italiane të BE-së.”
G. Meloni

Meloni theksoi se Italia e konsideron integrimin e Shqipërisë jo si “zgjerim”, por si ribashkim të Europës, ndërsa vlerësoi Tiranën për “sjelljen si vend anëtar i BE-së” në nisma si protokolli për migracionin.

Rama: “Italia është motra e madhe e Shqipërisë – ditë historike”

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e quajti ditën “historike”, duke theksuar se për herë të parë dy qeveritë ulen në një format kaq të strukturuar për projekte konkrete.

Rama vuri në dukje:

  • rolin vendimtar të Italisë në avancimin e Korridorit VIII,
  • mbështetjen për projektet energjetike strategjike,
  • zgjidhjen e çështjes së pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Itali, falë qeverisë Meloni.

Ai nënvizoi se përputhja e fazave të negociatave me presidencën italiane do të ishte ideale:

“Në vitin 2028, kur Giorgia do të mbajë rolin e kryeministres së Italisë dhe presidentes së Këshillit Europian, do të jemi në duart më të mira për të hapur derën e mbyllur prej qindra vitesh drejt Europës.”
E. Rama

16 marrëveshje të reja Shqipëri–Itali

Gjatë mbledhjes u nënshkruan 16 marrëveshje dhe memorandume, që mbulojnë:

  • energjinë dhe transportin,
  • sigurinë kibernetike,
  • luftën kundër trafikut të drogës,
  • bashkëpunimin ushtarak dhe civil,
  • arsimin, kulturën dhe inovacionin.

Të dy liderët theksuan se ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu