
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington, ku u takua me presidentin amerikan Donald Trump. Vizita vjen në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike, pas shpalljes së tarifave të reja tregtare nga SHBA ndaj produkteve evropiane, mes të cilave dhe ato italiane.
Takimi u përqendrua pikërisht në përpjekjen për të shmangur një krizë të re tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Meloni deklaroi se qëllimi i saj është “të mbrojë interesat kombëtare pa ngritur mure”, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe partneritetit strategjik.
View this post on Instagram
Trump, nga ana e tij, e quajti Melonin “një udhëheqëse të jashtëzakonshme” dhe vlerësoi qasjen e saj në drejtimin e Italisë. Ai e pranoi ftesën për një vizitë zyrtare në Itali, duke sinjalizuar gatishmërinë për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit mes dy vendeve.
View this post on Instagram
Gjatë vizitës, u diskutua gjithashtu edhe për çështje të migracionit dhe sfidat e sigurisë globale, me Melonin që theksoi se është thelbësore që Perëndimi të ruajë unitetin dhe të mos bjerë pre e përçarjeve ideologjike.
Vizita e Melonit shihet si përpjekje për të pozicionuar Italinë si një urë lidhëse mes Europës dhe SHBA-ve në një kohë kur politika globale po hyn në një fazë të re tensionesh dhe riformatimesh.