Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla me rastin e bastisjes së një shtëpie në fshatin Isev, në Komunën e Leposaviqit, ku janë gjetur dhjetëra uniforma të policisë së rregullt dhe asaj speciale serbe, si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës ka deklaruar se mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministri Sveçla tha se kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë.
“Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet”, ka shkruar Sveçla.
Më tej ai shtoi, se “është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”.
Tutje, ministri Sveçla theksoi se “ë gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë. RTK