
Shërbimet sekrete izraelite Mossad dyshohet se kanë kryer për vite me radhë një operacion të gjerë spiunazhi kibernetik në Iran, duke hakuar rrjetin e kamerave të trafikut në kryeqytetin Teheran për të monitoruar lëvizjet e liderit suprem iranian Ali Khamenei dhe të truprojave të tij.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare që citojnë burime të inteligjencës, pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në Teheran ishin komprometuar për vite, ndërsa pamjet e tyre transmetoheshin në serverë të kontrolluar nga Izraeli. Kjo u lejoi analistëve të inteligjencës të ndërtonin një panoramë shumë të detajuar të lëvizjeve dhe rutinës së sigurisë së liderit iranian.
Përmes këtyre pamjeve u analizuan oraret e truprojave, vendet ku parkonin automjetet, rrugët që përdornin për të hyrë në kompleksin e liderit iranian në rrugën Pasteur në Teheran dhe personat që shoqëronin zakonisht Khamenein. Të gjitha këto të dhëna u përpunuan për të krijuar atë që në inteligjencë quhet një “pattern of life”, pra një profil i detajuar i jetës dhe rutinës së objektivit.
Raportohet se përveç kamerave të trafikut, inteligjenca izraelite ka depërtuar edhe në rrjetet e telefonisë celulare, ndërsa gjatë operacionit u ndërprenë disa antena pranë kompleksit të Khameneit për të penguar komunikimin dhe paralajmërimet e mundshme për sulmin.
Të dhënat e mbledhura për vite me radhë u përdorën për të konfirmuar praninë e liderit iranian dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në një kompleks qeveritar në Teheran në momentin e sulmit ajror, i cili sipas raportimeve shënjestroi pikërisht qendrën e drejtimit të regjimit iranian.
Operacioni konsiderohet nga analistët si një nga rastet më të sofistikuara të spiunazhit kibernetik urban, ku infrastruktura e qytetit – si kamerat e trafikut – është përdorur për të ndërtuar inteligjencë strategjike për një operacion ushtarak.



