
Rey Manaj ka reaguar për herë të parë pas penalltisë së humbur në barazimin 0-0 ndaj Serbisë mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2025.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk ia doli të shënonte nga pika e bardhë në minutën e 46-të, pasi goditja e tij u prit nga portieri serb, Dorde Petrovic – një moment që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.
Përmes një postimi emocional, Manaj ka kërkuar falje ndaj tifozëve, bashkëlojtarëve dhe stafit, duke shprehur keqardhjen e thellë për gabimin dhe duke premtuar rikthim më të fortë.
“Sot ndjej një dhimbje të madhe që nuk mund ta shpjegoj me fjalë. E di sa shumë prisnin shqiptarët nga kjo ndeshje dhe e di sa rëndësi kishte ajo për të gjithë ne. Më vjen thellësisht keq për penalltinë që humba,” – shkruan ai.
Manaj theksoi se gjithmonë ka marrë përgjegjësinë përpara portës dhe këtë herë nuk arriti ta përmbushë siç duhet.
“Ju kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarë, bashkëlojtarëve dhe stafit. Ju siguroj që kjo ndjesi nuk më lë rehat dhe do ta përdor si forcë për të ardhur më i fortë, më i përqendruar dhe më i vendosur,” – përfundoi sulmuesi kuqezi.