Personazhi i njohur i TikTok, Kleviol Ahmeti (Clevio Serbiano), është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit.

39-vjeçari nga Lushnja kërkohej nga autoritetet shqiptare për përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë. Gjykata e Apelit Tiranë i kishte caktuar “arrest në burg” pasi akuzohet se ka përndjekur për vite me radhë këngëtarin Noizy (Rigels Rajku) dhe familjarët e tij.
Ai është gjithashtu i dënuar nga Gjykata e Fierit me 9 muaj burg për largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit.

 

Njoftimi i policisë

Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.

Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.

Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu