Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi, dhe kandidatët e tij, zhvilluan një takim me simpatizantët në Shkodër.

Në fjalën e tij, Doshi tha se programi i partisë së tij është një program për shtresat sociale. Kreu i PSD tha se Shqipëria aktualisht ka vetëm një pet-skaner për trajtimin e të sëmurëve me kancer, ndërkohë që nevojiten 8 të tillë.

Doshi u zotua se PSD merr përsipër që Shqipëria t’i ketë 8 pet-skaner, aq sa i nevojiten.

Më tej, Doshi foli dhe për krybashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, i cili tha se si mund të drejtohet fushata nga një njeri i pandehur.

Kryetari i PSD deklaroi se partia e tij është e vetmja shpresë dhe fitorja do të fillojë nga marrja e tri mandateve në Shkodër.

Sa i përket një bashkëpunimi me demokratët, Tom Doshi e mohoi kategorikisht dhe tha se më parë bën koalicion Rama me Berishën sesa PSD.

“Programi ynë është një program social, është për të varfrit, të sëmurët. 7 mijë raste të reja kemi me kancer në vit, 80 mijë shqiptarë janë të prekur. Të bësh një analizë është 1500 euro. E dini sa kushton ajo aparaturë? 1 mln euro. Ne kemi 1 pet-scaner në Shqipëri dhe është në privat, në një kohë kur Kosova ka 5. Shqipëria ka nevojë për 8 të tillë. Ne marrim përsipër që Shqipëria t’i ketë këto 8 aparatura që u shërbejnë të sëmurëve shqiptarë. Çfarë janë 10 mln euro për qeverinë. Përurohen çdo ditë spitale të reja. Vidhen miliona, kanë 80 mijë familje që vuajnë, 66 mijë njerëz në nevojë në Shkodër. 100 mijë marrin pjesë në votime. Ndaj u bëj thirrje sot këtyre 80 mijë familjeve, votoni PSD. I bëj thirrje diasporës mendoni për këta 1 milion të varfër në Shqipëri.

Në 2013 Berisha la pushtetin si i korruptuar, edhe sot të vjen zor kur sheh gjysmën e qeverisë në burg e nën hetim, njerëzit që vjedhin qytetarët nuk na përkasin ne, nuk i përkasin Shqipërisë. Kreu i Bashkisë Shkodër, që drejton fushatën e PS në Shkodër është i pandehur. Si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët? Kam besim që jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë populli do të na votojë. Jemi e vetmja shpresë. Si mund të shkojmë në Europë me pensione 100 euro, kur ende nuk i kemi ndarë tokat? Premtoj se pa PSD nuk ka mazhorancë në Shqipëri. Kanë hapur fjalë se do të bashkëpunojmë me Berishën. Më parë bën koalicion Rama me Berishën se Tom Doshi. Shkodra fillon me fitoren me 3 mandate”, tha Doshi./ CNA

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu