Edhe pse lejet e ndërtimit dhe sipërfaqet kanë rënë në nivel kombëtar ky fenomen nuk është reflektuar në kryeqytet.
Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë të 2024-ës tregojnë se në Tiranë me lejet e dhëna, sipërfaqja e ndërtimit arriti në 232 mijë metra katror me një rritje të lehtë prej 16% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërkohë në rang kombëtar sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2024 është 357 mijë m2, nga 415 mijë m2 miratuar në tremujorin e parë 2023, me ulje prej 14,0 %. Kjo mund të jetë edhe një pasojë e shkuarjes drejt përfundimit të programit të Rindërtimit, i cili ka ndikuar në disa qarqe si Durrësi dhe Lezha me uljen e ndjeshme numrit të lejeve.
Në kryeqytet trendi i sipërfaqeve të ndërtimit ka ardhur në rritje deri në kulmin historik të 2022-shit ku u dhanë 800 mijë metra katror leje për sipërfaqe ndërtimi, ndërsa gjatë 2023-it pati një ulje poshtë 200 mijë metra katror. Oferta gjithsesi vijon të mbetet e qëndrueshme, me gjithnjë e më shumë sipërfaqe të reja që po zhvillohen në periferi të Bashkisë.
Sa i përket tipologjisë së ndërtimeve INSTAT bën me dije se lejet e ndërtimit u dhanë më së shumti për ndërtesa banimi në masën 69%, ndërsa për biznesin 29.7% dhe 0.4% për punime inxhinierike. Ndryshimi është i dukshëm me vitin e kaluar ku lejet e dhëna për ndërtime biznesi dhe shtëpiake ndaheshin pothuajse në mënyrë të barabartë.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ishin kontribuuesit kryesor në rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar. Ecuria e këtij sektori prej disa vitesh vijon të gjenerojë shifra të larta në PBB-në e vendit duke ngritur shpesh dhe thirrje nga autoritetet për diversifikim të ekonomisë. TCH