
Në filmat me agjentin James Bond, shefe e 007-ës ishte Dame M, intepretuar nga Judi Dench. Por në krye të shërbimit sekret britanik në realitet nuk ka patur kurrë një grua deri tani.
Për herë të parë në historinë 115-vjeçare të shërbimit sekret të jashtëm britanik, MI6 do të drejtohet nga një grua. Blaise Metreweli, një oficere karriere me mbi 20 vite përvojë në inteligjencën britanike, është emëruar shefe e re e MI6, duke zëvendësuar Richard Moore, i cili drejtoi agjencinë që nga viti 2020.
Metreweli, aktualisht drejtore e divizionit të teknologjisë dhe inovacionit në MI6, do të marrë zyrtarisht detyrën në vjeshtë. Ajo ka shërbyer më parë në poste të larta si në MI6, ashtu edhe në MI5 – agjencinë e inteligjencës së brendshme të Mbretërisë së Bashkuar.
“Jam krenare dhe e nderuar që më është besuar drejtimi i MI6”, u shpreh Metreweli. “Kjo agjenci luan një rol thelbësor, së bashku me MI5 dhe GCHQ, në mbrojtjen e qytetarëve britanikë dhe avancimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar në botë.”
Kryeministri Keir Starmer e cilësoi emërimin si “historik”, duke shtuar: “Në një kohë me kërcënime të pashembullta, nga anijet spiune në ujërat tona tek sulmet kibernetike të sofistikuara, puna e shërbimeve tona të inteligjencës nuk ka qenë kurrë më jetike.”
Metreweli, 47 vjeçe, ka studiuar antropologji sociale në Universitetin e Kembrixhit dhe ka përvojë operacionale të gjerë në Lindjen e Mesme dhe Evropë. Ajo drejton aktualisht sektorin e teknologjisë së avancuar në MI6, të njohur si “seksioni Q”, i krahasueshëm me departamentin legjendar të filmave të James Bond ku krijohen pajisjet spiunazhe.
Me këtë emërim, Metreweli thyen një tjetër tabu brenda inteligjencës britanike. Ndërsa MI5 dhe GCHQ kanë pasur më herët gra në krye – si Stella Rimington dhe Eliza Manningham-Buller për MI5, apo Anne Keast-Butler për GCHQ – MI6 ka qenë historikisht një bastion mashkullor që nga themelimi i tij në vitin 1909.
Emërimi i saj vjen në një kohë të tensionuar ndërkombëtare, ku përballjet kibernetike janë kthyer në front të ri lufte mes shteteve. MI6, në koordinim me MI5 dhe GCHQ, pritet të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në mbrojtjen e sigurisë kombëtare britanike.