
Është zbardhur dëshmia e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
“Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen por aty mu mbush mendja për ta vrarë kur dha vendim kundër nesh“, ka thënë para hetuesve 30-vjeçari Elvis Shkambi.
30-vjeçari Elvis Shkëmbi, ka qëlluar 3 herë mbi gjyqtarin Kalaja duke e lënë të vdekur, si dhe ka plagosur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Pas aktit ai ka dorëzuar armën e krikmit ndërsa ka deklaruar se e kreu veprimin pasi gjyqtari i kishte mohuar pronën me letra.
Ndërkohë që ka ende pikëpyetje të mëdha se si arriti 30-vjeçari të fusë armën brenda sallës së gjyqit, lidhur me këtë çështje policia ka shoqëruar të gjithë të pranishmit.
Si erdhi ngjarja deri te krimi
Përplasja ka nisur rreth 15 vjet më parë, mes Gjon Shkambit që humbi gjyqin, xhaxhai i autorit, dhe 31 familjeve që jetojnë në shkollën e dikurshme të Rezervave në Shkodër. Secila palë pretendon se gëzon pronësinë mbi objektin ndaj prej vitesh çështja ka mbetur pa zgjidhje në dyert e gjykatave.
Kjo ka shërbyer si motiv që Elvis Shkambi t’i merrte jetën gjyqtarit prej 32 vitesh pjesë e drejtësisë shqiptare, Astrit Kalaja. Ky i fundit ka një karrierë të gjatë dhe së fundmi kishte kaluar me sukses procesin e vetingut, duke shërbyer në apelin e juridiksionit të përgjithshëm. /Vizionplus.tv/