Një çift britanik që themeloi një kompani për hartimin e testamenteve ka rrëfyer disa nga kërkesat më të pazakonta që kanë hasur gjatë 25 viteve punë, përfshirë pagesa me gaforre të gjalla dhe dëshira që ligjërisht nuk kanë asnjë vlerë.

Robert dhe Gill Phipps nisën kompaninë “Pembroke Will Writers” në vitin 2000 me një laptop dhe një printer të përdorur, në dhomën e ngrënies së shtëpisë së tyre në Gillingham, Kent. Sot, pas 30 mijë testamenteve të hartuara, ata thonë se nuk u befason më asgjë.

Në një rast, Robert – tani 62 vjeç – tregon se një klient që nuk mundej ta paguante me para, i dha një gaforre të madhe të gjallë si formë pagese.

“Gjithmonë flisnim për ushqime deti, ndaj më dha një gaforre të gjallë me llastikë në kthetra. M’u dhimbs aq shumë sa e çova në Sharp’s Green dhe e lashë në det. Madje telefonova policinë për t’ua shpjeguar, që nëse dikush më shihte duke hedhur një gaforre, të mos më merrnin për të dyshuar,” rrëfen ai.

Por kërkesat e pazakonta nuk ndalen këtu. Një nënë, për shembull, kishte kërkuar që të mos i linte trashëgimi djemve nëse ata e shpenzonin për “makina të shpejta dhe gra të shpejta”.

“E kam pasur të vështirë t’i shpjegoj që ligjërisht është e pamundur të përcaktosh se çfarë është një ‘grua e shpejtë’. Do të kishte vetëm debate pafund në gjykatë,” thotë Robert.

Ai këshillon klientët të mos përpiqen të “komandojnë nga varri”, por të kenë besim tek të afërmit e tyre.

Gjithsesi, jo të gjitha testamentet përfshijnë pasuri modeste. Çifti thotë se ka pasur raste ku ka hartuar testamente për persona me pasuri mbi 108 milionë dollarë. Në anën tjetër, hasin shpesh raste ku trashëgimtarët përpiqen të shmangin ligjin – si një rast kur një person kërkoi që trashëgimia t’i kalonte në llogarinë bankare të motrës, për të mos humbur përfitimet sociale.

Përvoja e tyre tregon edhe për sfida të tjera – sidomos pas pandemisë, ku njerëzit janë bërë më të prirur të sfidojnë testamentet e të afërmve, pavarësisht mungesës së bazës ligjore.

“Askush nuk ka fituar ndonjëherë një sfidë kundër ndonjë testamenti që kemi hartuar,” thekson Robert.

Para se të niste këtë biznes, Robert kishte shërbyer në Marinën Mbretërore dhe kishte punuar për 11 vite si polic në Kent. Ishte pikërisht kontakti i shpeshtë me njerëz pa testamente që e shtyu të hynte në këtë fushë.

Tani, me kualifikime të shumta nga Instituti i Hartuesve Profesionistë të Testamenteve, ai thotë se përvoja në marinë dhe polici i ka ndihmuar të ruajë qetësinë në biseda me njerëz që kanë humbur të afërmit.

Ai apelon që njerëzit të mos vonojnë hartimin e testamentit, sidomos në rastet e familjeve të përziera.“Ligji ndjek vetëm lidhjet e gjakut. Nëse nuk e përmend në testament, ligji nuk e njeh një nip që është birësuar nga djali yt,” thotë ai.

Për 25-vjetorin e kompanisë, Robert dhe Gill do të organizojnë një event të posaçëm më 18 qershor në zyrën e tyre në Watling Street.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu