Strukturat e parandalimit të krimit, të Komisariatit të Policisë Kurbin, sapo kanë marrë informacion se një shtetas (i cili më parë ishte konfliktuar me një shtetas tjetër, konflikt i padeklaruar në Polici) po qarkullonte me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për bllokimin e automjetit dhe të shtetasit, me qëllim verifikimin e informacionit.
Gjatë kontrolleve për lokalizimin e këtij shtetasi, në Mamurras, në kuadër të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, është bërë lokalizimi i automjetit me të cilin 21-vjeçari lëvizte dhe menjëherë i është bërë shenjë për të ndaluar.
21-vjeçari, sapo ka parë Policinë, ka braktisur mjetin në distancë dhe është larguar me shpejtësi.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pushkë me municion luftarak, si dhe një sasi fishekësh pistolete, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Benz” që drejtonte 21-vjeçari.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. K., 21 vjeç, banues në Kurbin dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.