Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për protesta dhe mobilizim qytetar kundër kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar një “kryengritje të madhe paqësore” më 17 prill.

Gjatë fjalës së tij në “Foltoren” para Kryeministrisë, Berisha u kërkoi qytetarëve që të reagojnë në çdo dalje publike të Ramës, duke përdorur edhe forma simbolike proteste. “Me një domate dhe vezë në xhep në çdo takim të tij të shkoni dhe gjuajeni”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin se ka përdorur, sipas tij, “mandatet e krimit” për të mbrojtur veten dhe zv/kryeministren Belinda Balluku nga hetimet për korrupsion. Ai theksoi se kjo çështje nuk është e mbyllur dhe se opozita do të vijojë betejën politike dhe ligjore.

Berisha u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke deklaruar se situata politike në vend po ndikon negativisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë nuk do të qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

Në fjalën e tij pati edhe një apel të drejtpërdrejtë për pensionistët, të cilët i ftoi të reagojnë kundër situatës ekonomike. “Ngrihuni dhe mos pranoni këtë poshtërim që po bëhet ndaj jush”, tha ai.

Në fund, Berisha njoftoi se “Foltorja” e radhës do të zhvillohet të hënën në orën 19:00, ndërsa protesta e 17 prillit, sipas tij, do të shënojë një moment të rëndësishëm të mobilizimit opozitar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu