
Të martën e 16 shtatorit, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër konferencë ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Presidenca Daneze ka ftuar qeverinë shqiptare që në prani të Ministrave të Jashtëm të gjithë vendeve anëtare të hapen edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim.
Rekord absolut e quan kryeministri Edi Rama këtë, pasi për 11 muaj janë hapur edhe 24 kapitur të tjerë.
“Shqipëria nuk ndalet”, shprehet kreu i qeverisë.
Në fokus të kapitujve të rinj që hapen janë agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme që kanë të bëjnë me fusha me rendësi jetike, si transporti, energjia, rrjetet transeuropiane dhe mjedisi.
“U vendos edhe tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale.
Shqipëria ka çelur deri më tani katër nga gjashtë grupkapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE: atë për Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, si dhe Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse.
Pritet që konferenca ndërqeveritare për çeljen e grupkapitullit të fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”, të mbahet në muajin tetor, duke përmbyllur fazën e negociatave teknike. Brenda vjeshtës pritet që Shqipëria të çelë të gjithë grupkapitujt e negociimit me BE-në, me synimin e mbylljes së plotë të tyre në fund të vitit 2027.
Në deklaratat e fundit, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur optimizmin e saj që vendi ynë mund të anëtarësohet plotësisht në familjen evropiane brenda mandatit të saj në vitin 2029.
/tvklan