Milano, 12 prill 2025 – Kryeministri Edi Rama do të mbyllë zyrtarisht nesër fushatën zgjedhore në diasporë me një tubim të madh në qytetin e Milanos, në ambientet e MalpensaFiere, Via XI Settembre 16, Busto Arsizio (VA). Ngjarja do të zhvillohet në ora 15:00 dhe pritet të jetë një manifestim i jashtëzakonshëm i bashkimit dhe krenarisë kombëtare.

Tubimi organizohet nën moton “Krenar për Shqipërinë”, dhe atmosfera është përgatitur me simbolikë të fortë kombëtare: flamuj kuqezi, flamuj të BE-së dhe të vendeve ku jeton dhe punon diaspora shqiptare.

Prej disa ditësh në Itali ndodhet edhe drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, i cili është në një tur takimesh me komunitetin shqiptar dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë event. “Ky është momenti ynë për të treguar sa shumë e duam Shqipërinë, sa të bashkuar jemi dhe sa shumë na intereson e ardhmja e saj,” është shprehur Balla gjatë një prej takimeve.

Pak javë më parë nga Kreta, Balla deklaroi  se “Këto janë takime të planifikuara në kuadrin e gjithë fushatës zgjedhore.Ne kemi bërë takime edhe më parë, edhe në Greqi, edhe në Itali, edhe në Britaninë e Madhe, në Londër, në Nju Jork me kryeministrin. Po rikthehemi edhe në një tur të fundit. Dëshira do të ishte e madhe që të riktheheshim edhe në pjesë të tjera. Por mos harroni që duhet ta përshtatim agjendën dhe me nevojat e fushatës zgjedhore, kështu që këto tre takime janë takime të planifikuara si përmbyllëse të turit që ka nisur me diasporën prej shumë vitesh. Mos harrojmë që PS-ja është e vetmja që prej shumë vitesh ka qenë jo vetëm në takime me diasporën, por ka dhe strukturat e veta edhe në diasporë. Koha në dispozicion është e shkurtër, kështu që më 13 prill e përmbyllim turin në Milano.”

Ky tubim përmbyll turin e takimeve të Partisë Socialiste me diasporën shqiptare në Europë, një fushatë që ka pasur në fokus rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së emigrantëve në proceset politike dhe vendimmarrëse për vendin.

Organizatorët ftojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonën e Milanos dhe rajoneve përreth që të jenë pjesë e këtij momenti historik për diasporën shqiptare e cila voton për herë të parë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, proces për të cilin janë regjistruar 246 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit. Për pak ditë pritet t’u nisen edhe fletët e votimit me postë ku do të mund të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë anonime.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu