
Mbyllet etapa e parë e Xhiros së Italisë, e cila nisi nga Durrësi në Tiranë. Çiklisti Mads Pedersen arriti i pari në vijën e finishit në kryeqytet. Çiklisti danez ruajti në fund avantazhin ndaj belgut Wout van Aert.
Edicioni i 108 i Xhiros së Italisë ngriti siparin nga Durrësi për etapën e parë të turit prestigjoz dhe nga më të vjetrit në historinë e çiklizmit që e kthen Shqipërinë sërish në një skenë të madhe të sportit.
Në total janë 22 skuadra dhe 194 çiklistë, që kaluan vijën e nisjes në qytetin bregdetar dhe pasi përshkuan 164 kilometra mbërritën në zonën e finishit në Tiranë.
Etapa e dytë e Xhirosë së Italisë do të jetë e gjitha në rrugët e kryeqytetit. Ajo do të jetë gara e parë e kronometrit në këtë edicion të këtij turi, që do të projektojë ndoshta edhe favoritët.
Etapa a dytë është më e shkurtër, vetëm 13.7 kilometra. Çiklistët do të përshkojnë në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit shqiptar deri në vijën e finishit…
Etapa e tretë dhe e fundit në tokën shqiptare e “Xhiro e Italisë” do të jetë më e vështira dhe më panoramikja.
Ajo do të nisë në Vlorë dhe do të përfundojë sërish në qytetin bregdetar pas 160 kilometrash.
Kjo etapë ka në program edhe ngjitjen e parë malore, atë në qafën e Llogarasë.
Po ashtu përfaqëson edhe kartolinën më të bukur të Shqipërisë, pasi kalon në të gjithë rivierën në këtë nisje të sezonit turistik.
Për këtë arsye, Xhiro e Italisë nuk ka rëndësi vetëm nga ana sportive, por edhe një impakt në imazhin e vendit tonë, pasi pritet të ndiqet nga më shumë se 700 milionë njerëz në 200 vende të ndryshme të botës.
Edicioni i 108-të i Xhiros së Italisë filloi nga Durrësi dhe do të përfundojë pas 21 etapash prej 3,443.3 kilometrash në Romë, më datë 1 qershor./abcnews