Më shumë se 2,000 persona janë vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave në Iran, raportojnë organizatat e të drejtave të njeriut, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se “ndihma është rrugës” për popullin iranian.

Agjencia amerikane Human Rights Activists News Agency (HRANA) bën të ditur se, gjatë 17 ditëve të fundit, janë konfirmuar 1,850 protestues të vrarë, 135 persona të lidhur me qeverinë, 9 civilë të papërfshirë dhe 9 fëmijë, pavarësisht bllokimit pothuajse total të internetit në vend. Organizata shton se po verifikon edhe 779 vdekje të tjera të raportuara.

Një zyrtar iranian, duke folur për Reuters, ka pranuar gjithashtu se numri i viktimave arrin rreth 2,000, por fajin ia ka atribuar, sipas tij, “grupeve terroriste”.

Presidenti Trump pritet të marrë pjesë në një takim të posaçëm për Iranin, ndërsa ka deklaruar se po kërkon shifra të sakta për viktimat.
“Vrasjet duken të mëdha në përmasa, por ende nuk kemi shifra përfundimtare. Kur t’i kemi, do të veprojmë në përputhje me to”, tha ai për gazetarët.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump paralajmëroi se autoritetet iraniane do të “paguajnë një çmim të madh” për vrasjet dhe u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestat. Ai shtoi se kishte anuluar të gjitha takimet me zyrtarë iranianë, duke përdorur sloganin “Make Iran Great Again (MIGA)”.

Protestat, të cilat janë përhapur në 180 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e Iranit, nisën si reagim ndaj kolapsit të monedhës kombëtare dhe rritjes së fortë të kostos së jetesës, por shpejt u shndërruan në thirrje për ndryshim politik, duke u cilësuar si sfida më e madhe për regjimin që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

Sipas raportimeve, autoritetet iraniane janë përgjigjur me forcë vdekjeprurëse, të shoqëruar me mbyllje të internetit dhe komunikimeve. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë morgje të mbushura dhe spitale të mbingarkuara, ndërsa mjekë nga Teherani kanë përshkruar situatën si “zonë lufte”.

Ndërkohë, më shumë se 16,700 protestues janë arrestuar, ndërsa një 26-vjeçar i ndaluar është dënuar tashmë me vdekje, sipas familjarëve dhe organizatave për të drejtat e njeriut. OKB-ja dhe disa shtete perëndimore kanë dënuar ashpër dhunën, duke i kërkuar Iranit ndalimin e represionit dhe rikthimin e menjëhershëm të aksesit në internet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu