
Projektligji për ‘Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve’ u prezantua këtë të mërkurë në Komisionin e Ekonomisë, nga ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, i cili theksoi se synohet që brenda vitit 2028, të krijohet e gjithë infrastruktura e trajtimit të mbetjeve, për të cilën përgjegjës do të jetë një ‘Operatori Kombëtar’.
Për herë të parë ministri i Mjedisit u përgjigj edhe për inceneratorët, se çfarë do të ndodhë me ato, pas pyetjes që ngriti deputeti i PS-së Erion Braçe.
“Pse nuk vihet në punë inceneratori i Fierit, për të zhdukur pirgjet me mbetje që janë krijuar? Pse kjo agjencia e pronave të konfiskuara nuk e vë në punë këtë?”, ishte pyetja që i bëri deputeti i PS-së Erion Braçe.
“Ne po bashkëpunojmë me Agjencisë e Pasurive të Sekuestruara, për të bërë transferimin, që përmes operatorit të trajtimit të mbetjeve të kryejmë gjithë vlerësimin teknik dhe fillimin e operimit të infrastrukturës”, tha Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj.
Një nga objektivat e këtij ligji është ndarja e mbetjeve në burim, kompetencë që është tërësisht në dorë të pushtetit vendor, të cilat duhet të promovojnë ndarjen e mbetjeve që tek familjet, pasi në impiantin përfundimtar të incenerimit, do të shkojnë vetëm ato mbetje që kanë kaluar të gjitha fazat nga ripërdorimi apo riciklimi.
Braçe pyet se si do të stimulohen qytetarët për ta bërë këtë ndarje (pra të ndajnë plastikën nga mbetjet e tjera shtëpiake). Kjo gjë tha ministri Jaupaj do të jetë në dorë të bashkive.
“A do të ketë qytetari ndonjë incentivë për të bërë ndarjen e mbetjeve në burim, se ai do të paguaj”, pyet Braçe.
“Janë bashkitë që prezantojnë ndarjen në burim të mbetjeve, dhe krijojnë edhe skemat e incentivimit për qytetarët”, tha ministri.
Ndërkohë implementimi i draft ligjit që po diskutohet në komisione ka edhe kosto në rreth 670 milionë euro.
“Kemi bërë një analizë të kostove financiare. Kemi vlerësuar që 10 miliardë lekë që do të burojnë nga skema e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit e parashikuar në projektligjin tjetër. 12.8 miliardë lekë do të vijnë si financim nga sektori privat përmes kontratave të shërbimit. 44 miliardë lekë do të jenë financime publike që ndahen në 55% e financimit grant nga BE në vlerën 22 miliardë lekë, dhe 14.7 miliardë lekë do të përballohen me kredi nga institucionet ndërkombëtare dhe pjesa tjetër mbulohet nga të ardhurat nga tarifat e bashkive”, tha ministri i Mjedisit.
Kontejnerët me mbetje
Çfarë po ndodh me mbetjet e dyshuara të rrezikshme që prej një viti janë magazinuar në Porto Romano”. Kjo është pyetja që ngriti opozita në komisionin e Ekonomisë.
“Janë 102 kontejner me mbetje te rrezikshme. A mund të më thoni çfarë është bërë në një vit, është absurd të na thuhet që nuk kemi bërë akoma analizat ato janë në Porto Romano”, pyeti deputeti i PD-së Igli Cara.
Kësaj pyetje Ministri e Mjedisit u përgjigj pa dhënë një rezultat konkret nëse janë apo jo mbetje. Drejtori i kësaj ministrie Athanas Karaja tha se do të pritet derisa të flasë Prokuroria.
“Ne jemi të gjithë njerëz të ligjit, ato janë në Prokurori dhe është Prokuroria që bën veprimet e mëtejshme nuk na lejon ne si shtet të ndërhyjmë. Sa me shpejt të vij përgjigja dhe te sqarohet opinion publik, por kjo është kompetencë, duhet të lirohet nga drejtësia dhe më pas të bëhet. Po ndërhyri drejtësia, prevalon ajo. Se po i bëri shteti analizat, më pas thuhet jo kështu jo ashtu”, tha Athanas Karaja drejtor i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit.
102 kontejnerët me mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në vendin tonë më 28 tetor të vitit 2024, pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Që kur janë kthyer në Port, fati i tyre është në dorë të drejtësisë, pasi po kryehen hetimet nga Prokuroria e Durrësit./shqiptarja