
Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku. Mazhoranca socialiste votoi kundër dhënies së autorizimit për masën e arrestit, duke mos lejuar arrestimin e saj.
Gjatë votimit janë regjistruar edhe mungesa në radhët e socialistëve. Në seancë nuk morën pjesë në votim Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj.
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut ishte paraqitur në Kuvend përmes Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa në seancë u paraqitën dy raporte: ai i shumicës socialiste që ishte kundër arrestimit dhe ai i opozitës që mbështeste kërkesën e prokurorisë.
Partia Socialiste argumentoi se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo prishje provash nga deputetja, ndërsa hetimet mund të vazhdojnë pa masën e arrestit. Nga ana tjetër opozita kërkoi që Kuvendi t’i jepte autorizim SPAK për arrestimin e saj.
Seanca plenare u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ndërsa jashtë Parlamentit opozita kishte thirrur protestë kundër vendimit të mazhorancës.



