Mazhoranca miratoi sot me 79 vota pro ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, në një seancë të shoqëruar me tensione dhe bojkot nga opozita. Deputetët demokratë dhe aleatët e tyre u larguan nga salla menjëherë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij duke e cilësuar procedurën antikushtetuese.

Kryeparlamentari Niko Peleshi kaloi për votim projektvendimet në rendin e ditës dhe ndryshimet në Rregullore, ndërsa opozita reagoi duke braktisur sallën. Procesi i votimit vijoi vetëm me praninë e mazhorancës, e cila i miratoi ndryshimet me 76 vota elektronike dhe 3 me karton, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Në sallë mungonin gjithsej 57 deputetë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi jashtë sallës së Parlamentit duke theksuar se mazhoranca kishte injoruar kërkesat e opozitës dhe kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën. “Pas përpjekjeve tona që nga diskutimet e mëngjesit dhe deri tani, vendosëm të mos përfshihemi në këtë procedurë antikushtetuese,” tha Bardhi.

Ai shtoi se vendimi për dërgimin e përfaqësuesve të opozitës në 11 komisionet e reja parlamentare do të merret nga grupi, duke garantuar se opozita nuk do të lejojë të mbeten hapësira bosh në përfaqësim. “Ky është një vendim që do e marrë grupi parlamentar. E sigurt është që ne nuk do të lëmë asnjë hapësirë bosh që i përket opozitës në Parlamentin e Shqipërisë,” theksoi Bardhi.

Pas largimit nga seanca, grupi parlamentar i PD-së do të zhvillojë një mbledhje urgjente për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Opozita pritet të rikthehet në seancën e orës 17:00.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu