
Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses një operacion policor të koduar “Kredia”, duke çuar në pranga një 33-vjeçare nga Tirana, e dyshuar për mashtrim dhe vjedhje identiteti nëpërmjet një skeme të sofistikuar.
E arrestuara, D. C., 33 vjeçe, dyshohet se iu prezantohej grave me fëmijë të mitur si përfaqësuese e një shoqate bamirësie, duke iu premtuar pagesa mujore si ndihmë ekonomike. Ajo përfitonte foto të kartave të tyre të identitetit, të cilat më pas i përdorte për të aplikuar në mënyrë të paligjshme për kredi, në emër të tyre, pranë institucioneve financiare.
Arrestimi i saj erdhi pas administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve nga shtetase të ndryshme që ranë pre e mashtrimit.
Gjatë operacionit u sekuestruan dokumente bankare, të cilat pasqyrojnë transferimet e parave të përfituara nga kreditë dhe llogaritë bankare të përdorura nga e dyshuara. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht skemën e mashtrimit dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia apelon qytetarët të tregojnë kujdes me dhënien e të dhënave personale dhe të denoncojnë çdo rast të ngjashëm pranë strukturave të rendit.