Një skemë e re mashtrimi po përdoret nga një pjesë e ndërtuesve, e cila po i vë qytetarët në vështirësi të mëdha. Inxhinieri Azmer Duleviç ka ngritur alarmin publikisht, duke denoncuar hapur këtë praktikë të padrejtë që po përhapet gjithnjë e më shumë në tregun e pasurive të paluajtshme.

Duleviç solli shembullin konkret të një qytetari nga Vlora, i cili para gjashtë vitesh bleu një apartament kur godina ishte ende në nisje. Sot, pas gjithë kësaj kohe, pallati vijon të mbetet i papërfunduar.

Kur qytetari ka kërkuar shpjegime për vonesat, ndërtuesi i ka ofruar një “zgjidhje” që në fakt fsheh një kurth të qartë ekonomik: ose të pranojë kthimin e parave dhe të heqë dorë nga apartamenti, ose të ndjekë rrugët gjyqësore që zgjasin pafund.

Këtu qëndron edhe mashtrimi — sipas inxhinierit. Në momentin e blerjes, çmimi i apartamentit ishte 700 euro për metër katror, ndërsa sot çmimi i tregut në atë zonë ka shkuar në 1500 euro për metër katror. Nëse qytetari pranon kthimin e shumës që ka paguar vite më parë, ai humbet automatikisht mundësinë për të pasur një pronë me vlerën aktuale shumë më të lartë.

“Ky është një mekanizëm i menduar mirë për t’ju lodhur dhe për t’ju detyruar të hiqni dorë. Mos pranoni presione të tilla! Ndiqni çdo rrugë ligjore, sepse një ditë ndërtimi do të përfundojë, por pronën tuaj mos e dorëzoni,” apelon inxhinieri Duleviç.

Ky rast ngre edhe njëherë shqetësimin për mungesën e mbrojtjes së qytetarëve në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nevojën për rregullim më të fortë ligjor ndaj abuzimeve të kësaj natyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu