Rreth 5 mijë iguana të gjelbra janë kapur dhe më pas janë eliminuar në Florida, pasi temperaturat e ulëta i lanë pothuajse të paralizuara. Autoritetet shtetërore shfrytëzuan këtë moment për të ndërhyrë masivisht, duke i konsideruar zvarranikët një specie pushtuese dhe të dëmshme për ekosistemin.

Iguanat, të cilat janë kafshë me gjak të ftohtë, bëhen të palëvizshme kur temperaturat bien nën 7°C. Gjatë valës së fundit të acarit, ato ranë nga pemët ku zakonisht jetojnë, duke mbetur gjallë por të mpira – çka i bëri shumë të lehta për t’u kapur.

Komisioni i Faunës së Egër në Florida ngriti pesë pika grumbullimi dhe u kërkoi edhe qytetarëve të ndihmonin në dorëzimin e kafshëve. Vetëm në qendrën kryesore në Sunrise u dërguan afro 3.900 iguana, ndërsa të tjerat u mblodhën në Tequesta, Marathon dhe Fort Myers.

Autoritetet vendosën t’i nënshtrojnë të gjitha eutanasisë, duke argumentuar se bëhet fjalë për një specie jo vendase që është përhapur pas braktisjes nga pronarët që i mbanin si kafshë dekorative. Me kalimin e kohës, iguanat rriten shumë dhe bëhen të vështira për t’u menaxhuar, ndaj shpesh lirohen në natyrë.

Këta zvarranikë ushqehen me bimësi dhe insekte, duke konkurruar me speciet lokale dhe duke krijuar çekuilibra në habitat. Edhe pse zakonisht nuk janë të rrezikshme për njerëzit, ato mund të sulmojnë kur ndihen të kërcënuara dhe kanë dhëmbë të mprehtë.

U shqyrtua edhe mundësia e zhvendosjes së tyre në zona të tjera, por numri i madh i kafshëve dhe kostot e larta e bënë këtë opsion të pamundur dhe qendrat e specializuara nuk kishin kapacitet për t’i pritur.

Shfarosja ei specieve pushtuese shpesh shkakton reagime të forta nga grupet për mbrojtjen e kafshëve, por ekspertët e konsiderojnë një masë të nevojshme për të mbrojtur ekosistemin. Megjithatë, rasti rikthen në vëmendje faktin se ndërhyrje të tilla shpesh janë pasojë e gabimeve njerëzore – nga tregtia e pakontrolluar e kafshëve ekzotike deri te braktisja e tyre në natyrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu