Forcat RENEA kanë zbarkuar në orët e para të mëngjesit në Shkodër për të nisur një aksion në kërkim të autorëve të dyshuar për disa ngjarje kriminale, përfshirë edhe persona të dyshuar për masakrën e Dobraçit. Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë aksionit nuk ka pasur të arrestuar pavarësisht se GJKKO kishte firmosur të paktën 5 urdhër arreste lidhur me një ngjarje të ndodhur më 23 Gusht 2024 në Vaun e Dejës, konkretisht në Rranzë.

Sipas vendimit të firmosur nga gjyqtari i posaçëm Erjon Çela rezulton se Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, iu është komunikuar masa “arrest me burg” në ambientet e paraburgimit pasi dyshohen për krijim të kushteve për të kryer vrasje në lidhje me ngjarjen e Rranzës.

Sipas hetimeve rezulton se dy të rinjtë në bashkëpunim me persona të tjerë kanë sulmuar me armë zjarri dhe kanë pasur përplasje me vëllezërit Prendi. Në atë kohë ata pretenduan se u gjendën në breshërinë e armëve në momentin që vajtën në takimin me vëllezërit Prendi. Por nga të dhënat rezulton se Samuel Troshani ka bërë qitje me armë zjarri ditën e ngjarjes, duke rrëzuar pretendimet e tyre.

SPAK iu është drejtuar GJKKO për caktimin e masës së sigurisë për të paktën 5 persona, dy prej të cilëve iu komunikua në burg, ndërsa 3 të tjerët nuk janë arrestuar. Bëhet me dije se RENEA ka ushtruar kontroll edhe në banesat e fisi Bajri. Gjithashtu sipas informacioneve, ata kanë shkuar për të shoqëruar Safet Bajrin, i cili rezulton sipas dëshmive ka qenë i pranishëm kur grupi i Samuel Troshanit dhe Izmir Sakicës është përplasur me vëllezërit Prendi dhe kanë qëlluar në mënyrë të ndërsjellët njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, Xhulio Voksani, i arrestuar më herët për vjedhjen e automjetit që është përdorur në masakrën e Dobraçit me 4 viktima, iu është komunikuar masë e re sigurie për “vjedhje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Të dyja këto dosje, si ngjarja e Rranzës dhe ajo e Dobraçit janë bashkuar në një dosje bashkë edhe me dosje të tjera në Shkodër./Dosja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu