
Një ditë përpara se të publikoje raportet e zgjerimit për shtetet kandidate për anëtarësimin në BE, komisionerja Kos veçoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat e integrimit. Ajo e konsideroi vendin tonë një nxënës të dalluar në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj Brukselit.
“Të martën do të raportojmë mbi progresin që kemi arritur gjatë vitit të kaluar me shtetet kandidate në procesin e zgjerimit të BE-së. Dy shtete dallohen në këtë proces, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato kanë realizuar përparim të suksesshëm me reformat e integrimit. Ne kemi hapur dhe mbyllur më shumë kapituj brenda një viti me këto dy shtete sesa gjatë 15 viteve të fundit.
Këto dy vende të vogla, Mali i Zi me 600,000 banorë dhe Shqipëria me 2.5 milionë, janë duke përparuar drejt anëtarësimit në familjen tonë evropiane. Të dyja këto shtete kanë vendosur afate konkrete me data ambicioze për të mbyllur negociatat. Kjo e bën vitin e ardhshëm një moment të së vërtetës për to, veçanërisht për realizimin e reformave themelore, sidomos në funksionimin e shtetit ligjor”, tha komisionerja Marta Kos.
Nga leximi paraprak që i është bërë progres-raportit vjetor për Shqipërinë, nënvizohet roli i SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta politike, ku kërkohen dënime të formës së prerë.
Një vend të veçantë zë sekuestrimi i pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Behet thirrje sërish për vijimin e dialogut politik për përmirësimin e procesit zgjedhor nëpërmjet reformës së re zgjedhore.
Klan News







