
Kanë mbetur vetëm tri javë nga data kur qytetarët që kanë punuar në Itali dhe mbushin moshën për pension të aplikojnë për të përfituar trajtim të njëjtë me shtetasit italianë.
pensionet itali shqiperi
Prej muajsh ka një zyrë që asiston në ndjekjen e kësaj procedure, UIM Albania, në të cilën janë dyndur një numër i madh qytetarësh. Me të hyrë në fuqi marrëveshja më 1 qershor, nisin përfitimet, ndërkohë që zyrat ndërmjetësuese për qytetarët italo-shqiptarë apelojnë ata që presin, të nisin që tani kalkulimet për verifikimin e viteve, pasi koha është shumë e shkurtër dhe problematika të vogla që mund të shfaqen mund të çojnë në vonesa. “Qytetarët të jenë gati, të fillojnë me verifikimin e viteve që tani sepse koha është shumë e shkurtër, ka shumë fluks dhe do të ishte mirë që të nisin që tani me verifikimet e viteve që në momentin që marrëveshja të fillojë të jetë efektive, të jenë gati dhe të mos kenë vonesa në aplikimin e pensioneve, sepse edhe ‘e-Albania’ kërkon verifikim shumë të gjatë. Për shembull, për ata që kanë vite para ‘94 deri më 2012, por edhe IMS-i kërkon kohën e vet për të verifikuar vitet, kështu që është e rëndësishme t’i kenë të gjitha gjërat gati para se të fillojë marrëveshja”, – vuri në dukje Tresjana Elmazi, përfaqësuese e UIM Albania në një intervistë për mediat.
PËRFITUESIT
Nga marrëveshja përfitojnë të gjitha ata persona që kanë kontribute të sigurimeve shoqërore si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali. “Marrëveshja e pensioneve Shqipëri–Itali është një marrëveshje që të gjitha ata qytetarë, të cilët kanë jetuar në Itali ose janë rikthyer, ose janë ende atje, të kenë mundësi, në rast se nuk kanë vite mjaftueshëm për të plotësuar pragun në Itali 20 vite apo në Shqipëri 15 vite për të marrë një pension minimal. Ata mund t’i mbledhin të dyja përvojat e tyre të punës në të dyja vendet për të përfituar ‘prorata’, siç quhet metoda e përllogaritjes së viteve për të dyja vendet. Nëse një person ka 10 vite në Shqipëri dhe 10 vite të tjera në Itali, këto vitet bashkohen, por qytetari do të marrë proporcionalisht aq sa ka derdhur kontribute në secilin prej vendeve”, – tha Elmazi teksa shtoi se, “marrëveshja pritet të hyjë në fuqi një muaj pas shkëmbimit të akteve të ratifikimit mes dy vendeve nga muaji qershor”.
PROCEDURA
Sipas Elmazit, për pensionin italian, UIM Albania ka akses të drejtpërdrejtë tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Itali (IMS) që mund t’i bëjmë nxjerrje dhe verifikim të kontributeve që personi ka derdhur në Itali. “Për pjesën shqiptare mund të hyjmë në ‘e-Albania’ dhe të bëjmë verifikimin. Domethënë mund t’i ndjekim ne të dyja proceset. Për Italinë kërkohen dokumentet italiane, në qoftë se ata kanë pasur leje qëndrimi (permesso di soggiorno) duke qenë se Italia kontributet i ka të digjitalizuara, siç i kemi ne pas vitit 2012. Mjafton që ne si zyrë sociale konsulence (patronato) të hyjmë me kodin fiskal që është si numri ynë personal këtu dhe bëjmë verifikimin e viteve atje. Për Shqipërinë, normalisht do të nevojitet libreza e punës, çfarëdo lloj dokumenti që vërteton përvojën e tyre këtu. Normalisht edhe dokumentet shqiptare sepse duhet të hyjmë në ‘e-Albania’ për të bërë kërkesën dhe verifikimet për pjesën para vitit 2012″, – theksoi Elmazi. Sipas saj, kanë qenë të shumtë personat që kanë shfaqur interes në zyrat e ‘UIM Albania’ për të mësuar sesi funksionon kjo marrëveshje. “Ka shumë qytetarë që janë të interesuar. Interesi është i lartë, por edhe ne jemi të gatshëm që t’u vijmë në ndihmë qoftë me informacionet, sepse janë mosha të mëdha e kanë të vështirë digjitalizimin”, – tha ajo. Legjislacioni italian rregullon të ashtuquajturit “institute të patronatit”, që mbështesin qytetarët përmes shërbimeve sociale. ITAL, Instituti për Tutelën dhe Asistencën e Punëtorëve, është krijuar nga UIL (Unioni Italian i Punës) dhe që prej 70 vjetësh vepron në Itali dhe jashtë saj në shërbim të personave: punëtorë, pensionistë, të rinj, të papunë, emigrantë, italianë në emigracion. Veprimtaria e patronateve monitorohet nga Ministria e Punës në Itali, e cila është edhe financuese ekskluzive e tyre. Janë rreth 1600 seli dhe pika kontakti ITAL, të shpërndara në territorin italian dhe në botë, në dispozicion të atyre që kanë nevojë për asistencë, me qëllim që të përfitojnë nga të drejtat sociale dhe ato të punës. Shumë shqiptarë në Italisë asistohen çdo vit nga ITAL, krahas qytetarëve italianë dhe të huajve në përgjithësi. Nën siglën e UIM – Unioni i italianëve në Botë, ITAL ka çelur së fundmi edhe një prezencë në Shqipëri, UIM Albania.
JO NJË, POR DY PENSIONE
Elmazi tha se fillimisht do të merren dy pensione. “Përsa i përket pjesës italiane, do të merren dy pensione fillimisht, IMS-i do të sjellë pjesën e vet, ndërsa ISSH-ja do të sjellë pjesën e vetë. Italia do ta bëjë këtë gjë nëpërmjet një transferte në llogarinë bankare të personit. Në qoftë se personi jeton në Shqipëri, nëse ka dalë që tani në pension në Shqipëri mund të kërkojë edhe atë italianin dhe do t’i vijë në llogarinë e tij bankare si një transfertë më vete”. Përfaqësuesja e UIM Albania theksoi në intervistën për mediat se pensioni italian nuk do t’i bashkëngjitet pensionit në Shqipëri, por do të jetë më vete. “Edhe përllogaritja do të jetë e veçantë. Domethënë nuk do të ndikojë në shumën që merr nga secila nga vendet. E njëjta gjë edhe nëse personi jeton në Itali. Në momentin që bëhet kërkesa për pension, personi do të japë edhe llogarinë bankare në mënyrë që IMS-i ose ISSH-ja të bëjnë derdhjen e pensionit çdo muaj”, – tha ajo. “Në këtë fazë nuk e nisin dot aplikimin për arsye sepse nuk ka hyrë në fuqi marrëveshja dhe në momentin që do të hyjë në fuqi, IMS-i italian do të krijojë një hapësirë të veçantë vetëm për marrëveshjen, e ka krijuar që tani në fakt, por do të jetë më e aplikueshme që të hyjnë qytetarët të bëjnë aplikimin. Italia ka një shumë të caktuar që pensioni nuk taksohet, domethënë kjo do të shihet më pas në varësi të vlerës se sa do të përllogaritet pensioni i tyre. Zyra sociale konsulence (patronati) nuk ka pagesë, as për pensionin shqiptar, as për pensionin italian. Procedurat, aplikimi, ndjekja, dokumentacioni, çdo gjë që ne bëjmë nga fillimi deri në fund është pa pagesë”, – thekson Elmazi duke shpjeguar më tej procedurën për shtetasit italianë dhe shqiptarë. Këta të fundit, sigurisht që e kanë më të vështirë. “Ata që jetojnë në Itali duke qenë se janë të pajisur me ‘speed’, i cili është ai që i mundëson të hyjnë në IMS e kanë më të thjeshtë. Ndërsa për shqiptarët të cilët janë kthyer e kanë pak më të vështirë sepse mund të ketë kaluar shumë kohë, mund të kenë vetëm leje qëndrimi e kanë të vështirë të aksesojnë IMS-in. Në këtë rast jemi ne që iu vijmë në ndihmë, të jenë të qetë nga kjo pjesë. Në Tiranë kemi zyrën kryesore, pastaj në qytete të tjera si në Durrës, në Vlorë, në Lezhë kemi sportele ku qytetarët mund të drejtohen për të marrë informacion apo për të ndjekur procedurat”, – thekson Elmazi./Gazeta Panorama