
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar mbështetje të plotë institucionale për ndërtimin e varrezave për kafshët shtëpiake në nivel komunal, si dhe masa të reja për uljen e popullatës së kafshëve të rrugës. Njoftimi u bë nga drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Oliver Millanov, pas takimeve me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe kreun e BNJVL-së, Orce Gjorgjievski.
Sipas Millanovit, AUV ka dhënë mbështetje të plotë për iniciativën e krijimit të varrezave për kafshët shtëpiake nëpër komuna, ndërsa në fokus të diskutimeve kanë qenë edhe masat konkrete për menaxhimin e kafshëve endacake, përmes ndërtimit të një sistemi strehimi në çdo njësi të vetëqeverisjes lokale.
Drejtori i AUV-së theksoi se në ndryshimet ligjore të propozuara tashmë janë përfshirë vërejtjet dhe sugjerimet e shoqatave për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve, ndërsa në fazën në vijim do të merren parasysh edhe propozimet e komunave.
“Si institucion përgjegjës për mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve, AUV do t’u vijë në ndihmë njësive të vetëqeverisjes lokale dhe do t’u ofrojë asistencë teknike për krijimin e sistemit të kontrollit të popullatës së qenve të rrugës, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet e Agjencisë”, deklaroi Millanov.
Nisma synon të adresojë një nga problemet më të ndjeshme urbane në vend, duke kombinuar mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve me përgjegjësitë e pushtetit lokal dhe kërkesat e shoqërisë civile.






