
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se kandidatët të cilëve u janë shtuar votat do të jenë objekt hetimi, në varësi të deklarimeve që do të japin komisionerët dhe kryesuesit e vendvotimeve.
Deklarata u bë gjatë një konference për media të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, lidhur me aksionin e zhvilluar sot për dyshimet e manipulimit të votave në komunën e Malishevës.
Pula theksoi se fillimisht duhet të sigurohen prova të qarta nëse komisionerët apo kryesuesit kanë vepruar me nxitje apo ndikim nga ndonjë kandidat apo deputet, për t’i shtuar vota një kandidati të caktuar.
“Mënyra e shtimit të votave të një kandidati për t’u bërë deputet bëhet me dashje,” u shpreh ajo.
Sipas saj, hetimet do të përfshijnë jo vetëm komisionerët dhe kryesuesit, por edhe vetë kandidatët që kanë përfituar nga shtimi i votave, nëse provohet se kanë qenë të përfshirë në këtë proces.
“Kandidatët që iu kanë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, pavarësisht cilësisë që do ta trajtojmë. Varësisht nga intervistat dhe deklarimet e komisionerëve dhe kryesuesve, duhet të sigurojmë prova se ka pasur shtytje apo ndikim për shtimin e votave,” deklaroi Pula.
Ajo theksoi se askush nuk do të amnistohet, pavarësisht funksionit apo pozitës që mban, nëse provohet përfshirja në manipulimin e procesit zgjedhor.
“Nuk do të amnistohet asnjë person, pavarësisht funksionit që ka, mjafton të kemi prova të mjaftueshme,” përfundoi Pula.
Burimi: Klankosova.tv






