Socialistët duket se nuk do të tërhiqen dhe nuk do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund të imponojë votën deputetëve, duke hedhur edhe akuza se po tentojnë që të krijojnë një normë të re ligjore, që shkon përtej detyrave të saj.
“Çështja e raportit të parlamentit me Gjykatën Kushtetuese mendoj unë që është një raport që e përcakton qartë Kushtetuta, GJK ka autoritetin Kushtetues që të shfuqizojë çdo ligj, vendim, akt të marrë nga Kuvendi nëse ajo e gjykon që është në kundërshtim me Kushtetutën, në këtë aspekt ka pasur një vendim të GJK që ka shfuqizuar 2 vendime të marrë nga Kuvendi i SHQIPËRISË, dhe Kuvendi nuk e diskutoi këtë vendim dhe e shfuqizoi, në rastin konkret është krijuar një paqartësi nëse do duhet që një deputet apo të gjithë deputet duhet të votojnë në formë të caktuar të detyruar jo nga vullneti i zgjedhësve apo jo dhe ky është një debat që nuk ka gjetur një trajtim as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përkundrazi GJK ka tentuar të krijoj një normë të re ligjore, por verifikon normat ekzistuese dhe fakti që një vendim i caktuar vjen për t’u miratuar në Parlament, dhe pastaj vullneti është krejtësisht sovran për ta votuar. I vetmi moment kur Kushtetuta e detyron deputetin të votojë, është kur i jepet e drejta opozitës për Komisionet Hetimore”.
Ato këmbëngulin që çështja do duhet të çohet në Komisionin e Venecias.
“Nuk ka një vendim politik, ka një thirrje për të votuar si deputet dhe prandaj dua të vijë të interesi publik. Gjykata Kushtetuese e ka pasur instrumentin për të parë nëse ka konflikt interesi nga Olta Xhaçka dhe 1/5 e deputetëve e ka bërë këtë e ka çuar në GJK, prandaj duhet marrë një vendim nga Komisioni i Venecias”, shtoi Çuçi.
Në një vendim të datës 10 korrik, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që të dërgojë menjëherë në “Kushtetuese” mocionin e deputetëve të opozitës për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Në një dalje për mediat, kryetarja Holta Zaçaj, i kujtoi Kuvendit se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund t’i vërë në diskutim. Për këtë arsye, “Kushtetuesja” njofton Kuvendin se duhet të zbatojë vendimin e saj pa asnjë vonesë, por socialistët kanë vendosur që të mos tërhiqen.
Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit./Syri.net