Kryeministri Edi Rama, në takimin me skuadrën e Partisë Socialiste në Elbasan, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit në kontekstin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai e cilësoi këtë si një moment historik, ku për herë të parë mundësia e anëtarësimit është reale dhe aktuale. Rama vuri theksin te fakti që këto zgjedhje nuk janë vetëm për Partinë Socialiste, por për të gjithë shqiptarët që duan të bëjnë një hap përpara drejt BE-së.

Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke theksuar se për herë të parë në histori, pushteti politik nuk ka më kontroll mbi drejtësinë, ndërsa përmendi shembullin e SPAK dhe prokurorëve të pavarur. Ai gjithashtu kritikoi ashpër opozitën, duke e quajtur një “kënetë” që pengon përparimin e vendit.

Në fjalën e tij, Rama nënvizoi përfitimet e anëtarësimit në BE, si liria e lëvizjes, mundësitë për studentët, mbështetja financiare për bujqësinë dhe garancitë për stabilitet ekonomik dhe politik. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Partinë Socialiste për të vazhduar këtë rrugë.

Në mbyllje, Rama theksoi se PS është forca e duhur për të udhëhequr Shqipërinë drejt integrimit europian, ndërsa kundërshtarët politikë të tij i ironizoi duke përdorur metafora për bretkosat dhe bufat e kënetës.

Rama: Serbia ka filluar negociatat në vitin 2014, është mbrapa tani. Mali i Zi i ka filluar negociatat në vitin 2012, sot ne e kemi arritur dhe plani është që ne dhe Mali i Zi të hyjmë në BE dhe BE-ja të japë një sinjal të qartë që po zgjerohet. Prandaj ne jemi sot me fatin evropian që na buzëqesh për herë të parë konkretisht. Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për tu futur në BE në 2005, akoma s’i ka hapur negocitat. Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe mund t’i mbyllim në 2027 dhe është një shpejtësi marramendëse sepse kemi punuar për këtë ditë.

Nëse negociatat mbyllen në vitin 2027 do të jetë rekord në gjithë historinë e integrimit.

Rama: E filluam nga vrima e fundit e kavallit, nuk na i hidhte njeri sytë dhe sot mund të jemi vendi që mbyll negociatat për tre vjet. Negociatat janë punë kolosale, afro 300 mijë fletë. Jo vetëm duhen lexuar, janë ligje, vendime, një kuadër i tërë rregullator. Janë marrëveshje të vazhdueshme. Nëse ne lëkundemi më 11 maj, sikur 3 muaj të kalojnë paqartësi ne nuk e kapim 2027. Atyre i ka ndodhur një tronditje nga gjërat e tjera që kanë ndodhur, që janë fokusuar tani dhe thonë “duhet t’i marrim tani dhe Shqipërinë dhe Malin e Zi, t’i mbyllim në 2027”. Kur 27 parlamente të ngrenë dorën të fusin shqiptarët dhe Shqipërinë do të jetë emocion i jashtëzakonshëm.

Rama tha se PS është forca e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Rama: Mund të kishte qëlluar PD siç qëlloi atëherë. Një ditë jam futur në atë fole, ditën që u shpall te QS, 40 minuta më mjaftuan, ia ndjeva erën ika. Por ama ishte partia e duhur në kohën e duhur dhe shqiptarët s’kishin ç’të bënin tjetër veçse t’ia jepnin votën për të ndryshuar sistemin. Evropa e di për çfarë luftojmë ne, për çfarë po lufton këneta, dinë çfarë janë moçalet dhe në fund do bëjnë vlerësimin. Populli shqiptar duhet të na japë ne mundësinë, sepse është votë për Evropën e konfirmuar. Ky është shpëtimi ynë kombëtar nga hijet e historisë sonë. Ne nuk na janë ndarë hijet e historisë. Për herë të parë si popull, sot, qëkur u ndamë nga perandoria otomane, kemi kaluar në lloj lloj rrugësh, kemi jetuar në lloj lloj sistemesh dhe regjismesh, për herë të parë kemi nëj situatë ku barazia para ligjit duket reale./Aia.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu