Tiranë, 12 qershor 2025 – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, prezantoi sot modelin e ri të “Shkollave Verore”, një program novator që do të pilotohet për herë të parë duke nisur nga data 16 qershor në 10 shkolla publike në Tiranë, Kamëz dhe Durrës. Iniciativa synon të ofrojë një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e fëmijëve, përmes bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin dhe prindërit.

Gjatë një takimi të zhvilluar në shkollën “Lasgush Poradeci” në Tiranë – një nga institucionet pjesëmarrëse në pilotim – Ministrja Manastirliu vuri në dukje rëndësinë e këtij programi si një hap i ri drejt arsimit gjithëpërfshirës dhe hapjes së shkollës ndaj komunitetit.

“Për herë të parë, nga data 16 qershor, 10 shkolla publike do të kthehen në qendra komunitare përmes programit të ‘Shkollës Verore’. Ky është një program i mirëstudiuar me mbështetjen e UNICEF dhe World Vision, që do të zgjasë dy javë pas përfundimit të vitit shkollor dhe do të përfshijë rreth 1000 nxënës, kryesisht nga klasa e parë deri në të pestën,” u shpreh Manastirliu.

Shkollat që do të përfshihen në këtë pilotim janë:

  • Në Tiranë: “Emin Duraku”, “Kosova”, “Lasgush Poradeci”, “Avni Rustemi”, “Andrea Stefani”, “Kiço Blushi”, “Qazim Turdiu”, “Klodian Tanushi”;
  • Në Kamëz: “Halit Çoka”;
  • Në Durrës: “Eftali Koçi”.

Ministrja nënvizoi se qëllimi afatgjatë është zgjerimi i programit në të gjithë vendin, përmes angazhimit të më shumë aktorëve arsimorë dhe komunitarë. “Synimi ynë është që vitin e ardhshëm ta shtrijmë këtë model në shkollat e të gjitha bashkive të Shqipërisë, duke përfshirë mësuesit, koordinatorët, profesionistët e arsimit dhe prindërit,” tha ajo.

Në fjalën e saj, Manastirliu theksoi gjithashtu rëndësinë e shkollës si një qendër komunitare, ku investimet në infrastrukturë, programe jashtëkurrikulare dhe rolet e reja si mësuesit koordinatorë për karrierën dhe cilësinë, po e transformojnë mënyrën se si funksionon arsimi publik në Shqipëri.

“Shkollat tona nuk janë më vetëm vende mësimi, por struktura që ofrojnë shërbime të përditshme për komunitetin, duke përfshirë laboratorë modernë, palestra, terrene sportive dhe programe të reja si ‘Art, Zeje dhe Sport’ apo ‘Toka ime në shkollë’. Bashkëpunimi me prindërit, mësuesit dhe nxënësit është kyç për suksesin e çdo iniciative,” theksoi Manastirliu.

Modeli i ri i “Shkollës Verore” pritet të sjellë një frymë të re në sistemin arsimor, duke ofruar një hapësirë argëtuese dhe edukative për fëmijët gjatë pushimeve dhe duke forcuar lidhjet mes shkollës dhe komunitetit lokal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu