Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka dërguar një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, duke paralajmëruar zbatim të rreptë të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.

Sipas ministres, shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt dhe e përqendruar tek mësimi. “Shkolla është vendi ku ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Prej disa vitesh kemi pasur si rregull që telefonat celularë nuk lejohet të përdoren gjatë orës së mësimit, por këtë vit po e forcojmë zbatimin e tij, duke marrë shembull nga vendet europiane,” tha Manastirliu.

Ministrja sqaroi se vendimi nuk është kundër teknologjisë, por synon përdorimin e saj në mënyrë të duhur. Sipas studimeve të OECD-së dhe OBSH-së, përdorimi i shpeshtë i telefonave nga fëmijët ul përqendrimin, aktivizimin në klasë dhe mund të rrisë rrezikun e bullizmit.

Rregullat e reja përcaktojnë qartë përgjegjësitë e mësuesve dhe prindërve: telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në raste të veçanta, telefoni dorëzohet në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë dhe fiket gjatë gjithë orarit të mësimit. Drejtoria dhe mësuesi kujdestar janë përgjegjës për zbatimin e rregullit, ndërsa prindërit duhet të bashkëpunojnë për të përforcuar mesazhin edhe në shtëpi.

Manastirliu bëri thirrje për bashkëpunim të plotë mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve për t’i dhënë rëndësi mësimit dhe edukimit të nxënësve.

Për detaje mbi udhëzimin dhe masat për ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, klikoni këtu.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu