IBIZA – Gjarpërinjtë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në Ibiza, jo vetëm në natyrë dhe hapësira të gjelbra si kopshte dhe parqe, por edhe në ambiente banimi dhe – për tmerrin e turistëve – në det. Fenomeni i gjarpërinjve invazivë po shkakton shqetësim të madh si për banorët, ashtu edhe për vizitorët, ndërsa autoritetet dhe biologët janë në kërkim të zgjidhjeve për të frenuar dëmet serioze që po i shkaktohen ekosistemit të ishullit.

🔵 Në qendër të alarmit është përhapja e një specieje jo autoktone dhe jo helmuese Hemorrhois hippocrepis – e cila po kërcënon ekzistencën e Podarcis pityusensis, një specie endemike dhe simbol i Balearëve, që përbën një pre të preferuar për këta gjarpërinj.

Rasti ka marrë vëmendje ndërkombëtare, veçanërisht nga mediat britanike si tabloidi Mirror, që raportoi se turistët janë “tepër të tmerruar për të notuar”, pasi gjarpërinj deri në 1.8 metra të gjatë janë parë duke notuar në det pranë zonave turistike. Në një rast pranë Portinatx-it në veri të ishullit, një çift që ndodhej në një gomone është përballur papritur me një nga këta gjarpërinj gjigantë.

Një turist i tronditur ka shkruar në rrjetet sociale:
“E pabesueshme… Sa shumë gjarpërinj ka, jam i tmerruar të futem në ujë. Kush do ta mendonte këtë 20 vjet më parë? Sikur një mallkim ka rënë mbi Ibizan, dikur parajsë e qetë!”

Për të frenuar përhapjen, autoritetet lokale kanë shpërndarë 200 kurthe në zona të ndryshme të Ibizas. Masa shihet si e domosdoshme nga biologët. Rezultatet fillestare janë premtuese: vetëm gjatë vitit të kaluar janë kapur 3,072 gjarpërinj, krahasuar me 2,007 të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga qeveria e Balearëve.

Rreziku për biodiversitetin lokal është i lartë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të raportojnë çdo shfaqje të gjarpërinjve në zona të banuara apo në plazhe.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu